Zhvillohet takimi me të gjithë drejtuesit e njësive bazë dhe kryesore, si dhe me anëtarët e Komisionit të Studimeve të Universitetit Bujqësor të Tiranës, me qëllim diskutimin dhe marrjen e vendimeve lidhur me përgatitjet për hartimin dhe përmbylljen e procedurave të nevojshme për aplikimin zyrtar të çdo programi të ri mësimor, të riorganizuar sipas modelit të Universitetit BOKU të Vjenës dhe të propozuar nga UBT.
Takimi vjen në vijim të punës për përmirësimin dhe modernizimin e ofertës akademike të UBT, e cila mori formë bazuar në analizën e nevojave aktuale të tregut të punës, përfshirjen e komponentëve ndërdisiplinorë, si dhe rritjen e përputhshmërisë me standardet evropiane të arsimit të lartë.
Nga viti akademik 2025-2026, UBT do të ofrojë këto programe studimi, të certifikuara nga Universiteti BOKU i Vjenës:
• Shkenca Bujqësore dhe Siguri Ushqimore
• Inxhinieri Mjedisi dhe Uji
• Inxhinieri Pyjore
• IT në Bujqësi dhe Mjedis
• Ekonomiks
• Menaxhim Biznesi
• Teknologji Ushqimore
• Ushqim dhe Shkencat e të Ushqyerit
• Dizajn Interieri dhe Inxhinieri Druri.
Krahas këtyre 9 programeve të reja, të cilat janë të certifikuara dhe të njëjta me programet e ofruara nga BOKU Vjenë, do të vazhdojnë edhe programet ekzistuese në: Mjekësi Veterinare, Arkitekturë Peizazhi, Informatikë Biznesi dhe Financë-Kontabilitet.