Në një mbledhje të zgjeruar, Senati Akademik i UBT-së miratoi reformën e re akademike, e cila do t’u prezantohet dhe ofrohet maturantëve dhe të rinjve shqiptarë për vitin e ri akademik 2025-2026.
Përmes një pune intensive që ka zgjatur afro një vit, strukturat e ngritura për këtë qëllim, si Komisioni i Studimeve/Kurrikulave (SCC) pranë Senatit të UBT-së dhe Grupet e Punës për Programet e Studimit (SWG) në nivel fakultetesh, të përbëra nga staf akademik ndërdisiplinor dhe përfaqësues të studentëve, janë angazhuar në hartimin dhe vlerësimin e programeve të reja të studimit, në mënyrë të koordinuar dhe të orientuar drejt cilësisë.
Të gjitha programet e reja mësimore janë organizuar nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të profesorëve nga Universiteti BOKU në Vjenë, të cilët kanë qenë pjesë e grupeve të punës dhe të SCC-së.
Nga 29 programe ekzistuese Bachelor që Universiteti Bujqësor ofronte, oferta e re akademike për vitin e ardhshëm përbëhet nga 9 programe të reja të ristrukturuara dhe të hartuara sipas modelit të BOKU, si dhe 3 programe ekzistuese.
Si rezultat i reformës në bashkëpunim me Universitetin BOKU, për vitin e ri akademik, Universiteti Bujqësor i Tiranës ofron programet e mëposhtme Bachelor, të cilat janë tërësisht të ngjashme me ato që ofrohen në BOKU, Vjenë. Më konkretisht, për vitin e ri akademik 2025-2026, oferta e re akademike e UBT-së përbëhet nga:
• Program Bachelor në Shkenca Bujqësore dhe Siguri Ushqimore,
• Program Bachelor në Inxhinieri Mjedisi dhe Uji,
• Program Bachelor në Teknologji Informacioni (IT) në Bujqësi dhe Mjedis,
• Program Bachelor në Ekonomiks,
• Program Bachelor në Menaxhim Biznesi,
• Program Bachelor në Teknologji Ushqimore,
• Program Bachelor në Ushqim dhe Shkencat e të Ushqyerit,
• Program Bachelor në Dizajn të Interierit dhe Inxhinieri Druri,
• Program Bachelor në Inxhinieri Pyjore.
Nëpërmjet aplikimit të një qasjeje ndërdisiplinore në hartimin e çdo programi mësimor Bachelor, UBT do të ofrojë programe studimore të cilësisë së lartë, të ngjashme me universitetet e tjera brenda BE-së, duke u bërë një universitet atraktiv për të rinjtë dhe maturantët nga Shqipëria dhe rajoni i Ballkanit Perëndimor, si dhe duke u shndërruar në një ndër universitetet më të mira bujqësore dhe të shkencave të jetës në Ballkan, plotësisht i integruar në rrjetin e universiteteve evropiane të shkencave të jetës.
Universiteti Bujqësor i Tiranës bëhet IAL-ja e parë në vend që ndërmerr këtë reformë kaq të thellë strukturore, duke ofruar programe studimi të nivelit cilësor, të afërta me BOKU-n dhe universitetet homologe të Bashkimit Evropian (BE), në shkencat bujqësore dhe ato të jetës.
Në tërësi, përmes këtij projekti që po implementon, UBT transformohet në një Qendër të Ekselencës së Dijes, Kërkimit, Inovacionit dhe Transferimit të Teknologjisë në fushat e bujqësisë, blegtorisë, ushqimit, pyjeve, mjedisit dhe zhvillimit rural në Shqipëri dhe në Ballkan.