Ditën e Mërkurë, datë 16.10.2024, Rektori i UBT, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku organizoi një takim me të gjithë Asamblenë Akademike të UBT-së.
Ky takim është në vazhdën e takimeve të përvitëshme që Rektori organizon me Asamblenë Akademike me qëllim raportimin e aktiviteteve të UBT-së për vitin akademik 2024-2025 si një detyrim ligjor i tij.
Në takim, ndër të tjera u diskutua aktiviteti i UBT-së për vitin akademik 2023-2024 në aspektin e procesit mësimor, kërkimit shkencor dhe transferimit të njohurive.
Pjesa kryesore e prezantimit lidhej me zhvillimet dhe sfidat e UBT-së për periudhën në vazhdim në kuadër të strategjisë UBT-BOKU 2030, ku u raportua në lidhje me aktivitetet dhe rezultatet e arritura deri në këtë kohë.
Në takim u theksua domosdoshmëria e një reforme të tillë, e mbështetur në parimin bazë, që t’i përgjigjet sa më mirë kërkesave të zhvillimit të gjithë sektorit të bujqësisë dhe tregut të punës në vendin tonë, si dhe kushtit për t’u përafruar në përmbajtje me atë të BOKU, Vjenë dhe universiteteve/fakulteteve homologe të vendeve të tjera, me qëllim transformimin e UBT në një institucion lider në vend e Rajon në fushën e ofertës akademike dhe shkencore që ofron.