Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku zhvilloi një takim me Prof. Dr. Carolien Kroeze, Rektoren e Wageningen University & Research (WUR), Holandë, një ndër universitetet më të mira në botë në fushën e arsimimit dhe kërkimit shkencor në shkencat e jetës.
Si një ndër universitetet anëtare në Shoqatën e Universiteteve Evropiane të Shkencave të Jetës (ICA), ku universiteti ynë bën pjesë së bashku me Universitetin BOKU, gjatë takimit u diskutua në lidhje me zhvillimet e fundit në kuadër të implementimit të reformës UBT-BOKU 2030 dhe mundësinë e përfshirjes së Universitetit të Wageningen (WUR) në aktivitete të ndryshme komplementare në të ardhmen.
U diskutua edhe roli ynë si universitete të shkencave të jetës përmes "Dialogut Strategjik për të Ardhmen e Sektorit të Bujqësisë dhe Ushqimit" në kuadër edhe të procesit të negociatave të Shqipërisë për në BE.
Përveç çështjeve të mësipërme, u fol edhe për zhvillimet e fundit në fushën e bioekonomisë qarkulluese, përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore, mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin rural, teknologjinë e informacionit në bujqësi dhe nevojën e forcimit të këtyre njohurive në axhendat respektive të kërkimit shkencor dhe ofertës akademike në të ardhmen.
Rektorja Kroeze dhe ekipi i saj shprehën gatishmërinë që shumë shpejt një ekip i WUR të vizitojë Universitetin Bujqësor të Tiranës me qëllim njohjen nga afër të zhvillimeve në UBT dhe dakordësimin e një plani aktivitetesh për të ardhmen.
Nëpërmjet këtij partneriteti me universitetet më prestigjioze në botë në fushën e shkencave të jetës, si BOKU në Vjenë dhe WUR në Holandë, Universiteti Bujqësor i Tiranës po demonstron çdo ditë e më shumë vlerat dhe cilësinë akademike e shkencore që mbart, si dhe seriozitetin në realizimin me sukses të reformave të nisura.