Në kuadër të kësaj dite të shenjuar, Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku dhe Dekani i Fakultetit të Shkencave Pyjore, Prof. Dr. Leonidha Peri pritën në një takim Znj. Anisa Ruseti, Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit - Bashkia Tiranë dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Pyjeve, Z. Artur Kala.
Në fjalën e tij, Rektori Sallaku vlerësoi profesionin e inxhinierit të pyjeve si një ndër pasuritë e domosdoshme të sektorit pyjor në vend dhe ftoi studentët të afrohen gjithnjë e më shumë në aftësimin e tyre profesional në këtë profil duke ndjekur të gjitha rrugët dhe mundësitë që UBT ka ndërtuar dhe po i zgjeron vazhdimisht.
Dekani i FSHP, Prof. Dr. Leonidha Peri shprehu respektin dhe mirënjohjen për kontributin e gjeneratave të inxhinierëve ndër vite të dalë nga ky Universitetet që i kanë dhënë emër dhe vlerë edukimit dhe shërbimit pyjor në vend.
Pjesëmarrësit në këtë takim diskutuan mbi gjendjen aktuale dhe sfidat e sotme e të së ardhmes për profesionin e inxhinierit të pyjeve, duke prekur dhe mundësitë e tregut të punës nga sektori shtetëror dhe privat për specialistët e rinj.
Takimi përforcoi edhe një herë vlerën dhe rëndësinë e inxhinierit të pyjeve për vendin dhe shoqërinë, i cili konsiderohet njëkohësisht pylltar, inxhinier dhe administrator në ofrimin e njohurive, eksperiencave, shkëmbimit të dijeve dhe qasjes drejt zhvillimit dhe inovacionit të sektorit të pyjeve në rang vendi dhe më gjerë.