UBT nënshkruan Marrëveshje Bashkëpunimi me Rrjetin Shqiptar për Zhvillimin Rural

Universiteti Bujqësor i Tiranës (UBT) dhe Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural (ANRD) firmosën Marrëveshje Mirëkuptimi për të forcuar dhe promovuar më tej bashkëpunimin e tyre dypalësh.

Marrëveshja e firmosur nga Rektori i UBT, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku dhe Znj. Evelina Azizaj, Koordinatore Kombëtare  e ANRD ka për qëllim bashkëpunimin e qëndrueshëm mes dy palëve në fusha me interes të përbashkët të tilla si: edukimi dhe trajnimi profesional, kërkimi shkencor, dialogu për politikat e sektorit të bujqësisë dhe zhvillimi i qëndrueshëm bujqësor e rural.

Disa nga pikat e Marrëveshjes që u dakordësuan nga Rektori Sallaku dhe Znj. Azizaj përfshijnë promovimin e aktiviteteve lidhur me platformën e parlamentit rural shqiptar, asamblesë së të rinjve nga zonat rurale dhe nismat që mund të sjellin ndikim apo përmirësim të agjendës kombëtare bujqësore dhe rurale.

Palët do të angazhohen edhe në organizimin e konferencave, seminareve apo aktiviteteve të tjera me tematika të ndryshme, nga ku UBT do të ofrojë  asistencën profesionale për ANRD, RYH dhe organizatat anëtare të ANRD, bazuar në fushat kryesore të studimit dhe zhvillimet më të fundit të sektorit bujqësor jo vetëm në vend por edhe në nivelin ndërkombëtar.

Nga ana tjetër, Marrëveshja do të ofrojë mundësinë e kryerjes së praktikave profesionale në ANRD dhe/ose organizata anëtare të saj nga studentët e UBT, ku do të informohen në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm rural nga ANRD bazuar në përvojën praktike të saj.

UBT dhe ANRD mbeten të dedikuar për të përmbushur rolin e tyre në zhvillimin e sektorit bujqësor dhe për të kontribuar më shumë falë bashkëpunimit dhe partneritetit dypalësh.

Prof. Pashko Camaj nga William Paterson University, USA mbajti në Universitetin Bujqësor të Tiranës një leksion të hapur me temë " Shkencat e shëndetit mjedisor"