Universiteti Bujqësor i Tiranës partner në Projektin “Startup10”, financuar nga Qeveria Italiane

Universiteti Bujqësor i Tiranës vazhdon të demostrojë vlerat dhe kapacitetet e veta duke u bërë pjesë e Projektit “Startup10”, financuar nga Kooperacioni Italian dhe i zbatuar nga CIHEAM Bari, që synon promovimin e sigurisë ushqimore dhe punësimin e të rinjve në 10 vendet partnere: Shqipëri, Algjeri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Egjipt, Etiopi, Jordani, Kenia, Liban, Tunizi dhe Ugandë.

Në partneritet me inkubatorët e biznesit, do të përzgjidhen 140 kompani startup të specializuara në zgjidhjet inovative brenda sektorëve të ekonomisë jeshile dhe blu, me fokus të fortë në dixhitalizimin, ku 21 prej këtyre sipërmarrjeve inovative do të jenë nga Shqipëria.

Rektori i UBT Prof. Dr. Fatbardh Sallaku evidentoi faktin që UBT ka një sërë bashkëpunimesh në projekte të shumta shkencore me CIHEAM Bari, si një aktor kryesor në Shqipëri në transferimin e njohurive bujqësore, me qëllim nxitjen e krijimit të bizneseve të reja (kompani startup), të këshillojë politikanët dhe të rrisë rolin e tij për shoqërinë nëpërmjet implementimit të projekteve të tilla.

Takimi u përshëndet nga Znj. Frida Krifca, Presidente e CIHEAM, dhe Znj. Delina Ibrahimaj, Ministre e Sipërmarrjes dhe Klimës së Biznesit, të cilat theksuan rëndësinë e iniciativave të tilla sidomos në drejtim të forcimit të kuadrit ligjor për startup dhe mbështetjen që qeveria shqiptare ofron përmes “Grantit 2024” ndaj çdo inciative të re.

Përfaqësues nga CIHEAM Bari, Z. Damiano Petruzzella dhe Znj. Annarita Antonelli, koordinatorë të projektit, prezantuan objektivat dhe modalitetet e projektit, si dhe kushtet e kriteret për aplikim, ku çdo projekt fitues do të financohet me një vlerë prej 5.000.00 €, që do të mund të përdoret për aktivitete të ndryshme, duke patur mundësi që të bashkëpunojnë edhe me një kompani italiane të specializuar në këtë fushë.

Universiteti Bujqësor mbyll me sukses Panairin “Ditët e Informimit të Maturantëve”