Panairi bëri bashkë aktorët më të rëndësishëm të sektorëve kombëtarë dhe ndërkombëtarë, me qëllimi kryesor krijimin e mundësive për bashkëpunime biznesi për çdo fermer, subjekt të interesuar apo edhe për mundësi punësimi ose praktika profesionale për studentët e profileve të ndryshme.
Gjatë fjalës së tij, Rektori i Universitetit Prof. Dr. Fatbardh Sallaku theksoi se njohuritë, këshillimet dhe ekspertiza e UBT do të jenë gjithnjë më të vlefshmet dhe më të besueshmet për orientimin e fermerëve në treg, për subvencionet, marketingun, cilësinë e ushqimeve, mbrojtjen e mjedisit, shëndetin e kafshëve dhe bimëve etj.
Në rolin që udhëheq ky Universitet në sektorin e bujqësisë motoja kryesore është lidhja mes qytetit dhe fshatit, mes prodhuesve dhe konsumatorëve, mes fermerit dhe teknologjisë e inovacionit, mes prodhimit vendas dhe palëve ndërkombëtare etj.
Përpjekja për të përmirësuar pozitën e UBT në kuadër të misionit për t'i shërbyer të gjithë konsumatorëve, sektorit bujqësor dhe ekonomisë së vendit, është kthyer në një detyrim për të përmbushur idetë dhe ambiciet e këtij Universiteti që në hedhjen e themeleve të tij 72 vite më parë.
Gjatë ditës së dytë të panairit, u organizua edhe një workshop nga Universiteti Bujqësor me temë "Universiteti dhe lidhja me bizneset", i ndërtuar në formën e një bashkëbisedimi me përfaqësues të bizneseve dhe studentë të UBT.
Workshopi kishte për qëllim nxitjen e bashkëbisedimeve për afrimin e marrëdhënieve Universitet-Biznes duke u konsoliduar në krijimin e një cikli simbiotik mes tyre dhe nxitjen e diskutimeve për të promovuar bashkërendimin e veprimeve të aktorit privat dhe universitetit.
Në “Agrotech Expo 2023” janë mbledhur kompani nga vende të ndryshme si Kosova, Greqia, Spanja, Serbia, Holanda dhe Gjermania, të cilat presin bashkëpunim për të operuar në tregun shqiptar.