Pjesë e workshopit shkencor "Gjendja aktuale dhe sfidat e integrimit në BE për certifikimin e fidanëve të drufrutorëve autoktonë në Shqipëri"
Ky takim trajtoi çështje me rëndësi të veçantë përsa i përket zhvillimit të qëndrueshëm të sektorit të bujqësisë në përgjithësi dhe pemtarisë në veçanti.
Zhvillimet e fundit sot në botë sjellin ndikime të ndryshme duke përfshirë edhe resurset gjenetike të bimëve, të cilët po përballen me sfidat e ngushtimit të bazës gjenetike për shumë kultura kryesore dhe problematikat e ruajtjes dhe pasurimit të diversitetit gjenetik.
Fokusi i takimit kishte të bënte me procesin e certifikimit të fidanëve, ku rol të rëndësishëm duhet të luajnë insitucionet përgjegjëse me detyrim ligjor e funksional dhe aktorët e tjerë, përfshirë këtu UBT.
Për sa më sipër, Universiteti Bujqësor ka një ndikim të konsiderueshëm me programet e tij të studimit, ekspertizat dhe me Institutin e Resurseve Gjenetike të Bimëve, në modernizimin e sektorit të bujqësisë dhe të sigurisë ushqimore në vend.
Po ashtu, UBT ka drejtuar dhe vazhdon të drejtojë procese të transformimit rrënjësor të bujqësisë shqiptare përmes studimeve në nivel kombëtar të tilla si për ullirin, vreshtat, florën, faunën etj, duke i ofruar bujqësisë shqiptare kultivarë dhe hibride të sukseshëm që përdoren edhe sot.
Në fjalën e saj, Zv. Rektorja për Shkencën dhe Projektet në UBT, Prof. Asoc. Erinda Lika theksoi se duhet të ketë një trajtim të përditshëm të këtyre temave dhe të bëjmë të pamundurën për përmirësimin e të kuptuarit për rëndësinë e procesit të certifikimit të fidanëve, nevojën e menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve gjenetike të bimëve, njohjen e studentëve me kuptimin dhe nevojën e këtij procesi, mjetet dhe rrugën që shoqëria të lëvizë drejt mbrojtjes dhe pasurimit të resurseve gjenetike dhe se institucionet tona duhet të jenë lider dhe shembull për institucionet e tjera kërkimore-shkencore në vend.