UDHËZIM Për Proçesin e Regjistrimit të Kandidatëve

UDHËZIM

PËR PROCESIN E REGJISTRIMIT TË KANDIDATËVE

Mbështetur në Ligjin “Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë”, kreu V, neni 36, dhe Rregulloren ”Për organizimin e zgjedhjeve për autoritetet dhe organet drejtuese në UBT”, Neni 3, pika 2, neni 4, neni 6, pika 2, gërma g) dhe neni 7, pika 7, gërma d), neni 18, neni 19, 20, 21 dhe 22; neni 24 dhe neni 25; Komisioni Institucional Zgjedhor (KIZ);

Udhëzon:

 1. Pranë KIZ dhe KZF-ve të Fakulteteve të UBT-së, në pajtim me periudhën e shpallur prej tyre dhe të bërë publike (13 Maj deri 17 Maj 2024) për procesin e regjistrimit të kandidatëve për autoritetet dhe organet drejtuese në UBT, të fillojë procesi i regjistrimit të kandidatëve.

2. Procesi i regjistrimit të kandidatëve, sikurse e përcakton Rregullorja e Zgjedhjeve, të fillojë ditën e shpalljes nga komisioni zgjedhor përkatës (13 Maj 2024) dhe të përfundojë në orën 16.00 të ditës së pestë kalendarike (17 Maj 2024).

3. Pranë këndeve të njoftimeve për procesin zgjedhor në UBT (në KIZ dhe KZF-të) të vendosen njoftime për vendin dhe orarin e regjistrimit të kandidatëve (si dhe numrat e kontaktit të sekretarëve për çdo sqarim të mundshëm).

4. Kandidatët për autoritete drejtuese të gjithë niveleve dhe për Senatin akademik, vetëkandidohen.

5. Të gjithë kandidatët që vetëkandidohen për autoritete drejtuese të gjithë niveleve dhe për Senatin akademik, duhet të plotësojnë kriteret e përcaktuara për kandidim në nenet 19, 20, 21 dhe 22 të Rregullores së Zgjedhjeve.

6. Dokumentet e kandidimit duhet të jenë në përputhje me kërkesat e ligjit nr. 80/2015 "Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë", Statutin e UBT-së dhe kërkesat e kësaj Rregulloreje (neni 25) të bëra tashmë publike.

7. Regjistrimi i kandidatëve në KIZ dhe KZF-të duhet të bëhet vetëm pasi ata kanë paraqitur dhe plotësojnë të gjithë dokumentacionin e kërkuar sipas nenit 25 të Rregullores së Zgjedhjeve (pika 1 për stafin akademik dhe pika 2 për studentët).

8. Të gjithë kandidatët që paraqesin dokumentacionin e plotë të kërkuar duhet të regjistrohen në regjistrin e kandidatëve, sipas kategorive përkatëse.

9. Mosregjistrimi i kandidatëve bëhet me vendim të arsyetuar nga KIZ-i. Vendimi për mosregjistrim të kandidatëve është i ankimueshëm pranë Komisionit të Apelimit në UBT.

10. Pas regjistrimit, çdo kandidati i jepet vërtetimi i regjistrimit si kandidat prej komisionit zgjedhor (KIZ ose KZF) që kryen regjistrimin e tij.

11. Pas verifikimit të dokumentacionit për plotësueshmërinë e kritereve për kandidim, KIZ, jo më vonë se 48 orë nga përfundimi i afatit të paraqitjes së kërkesave për kandidim, miraton listën e kandidatëve për Rektor dhe të kandidatëve për Senatin Akademik. Listat shpallen publikisht në mjediset e të gjithë njësive kryesore të UBT-së (këndet zgjedhore), si dhe në faqen zyrtare elektronike të UBT-së.

12. Pas verifikimit të dokumentacionit për plotësueshmërinë e kritereve për kandidim, KZF, jo më vonë se 48 orë nga përfundimi i afatit të paraqitjes së kërkesave për kandidim, miraton listën e kandidatëve për drejtues, dekan/drejtor, të njësisë kryesore, dhe listën e kandidatëve për drejtues të njësisë bazë/qendrës së kërkimit shkencor, për secilën prej njësive bazë dhe qendrave të kërkimit shkencor të njësisë kryesore. Listat shpallen publikisht në mjediset e të gjithë njësive kryesore të UBT-së (këndet zgjedhore), si dhe në faqen zyrtare elektronike të UBT-së dhe fakulteteve respektive.

13. KZF-të, një kopje të protokolluar dhe të vulosur të listës së shpallur të kandidatëve e dërgojnë në KIZ për përgatitjen e fletëve të votimit.

14. Kandidatët e regjistruar pranë KIZ/KZF për autoritet drejtues në UBT dhe Senat Akademik nuk mund të heqin dorë nga kandidimi gjatë ditës së zgjedhjeve.

 

KRYETARI I KIZ

Albert Kopali

Udhezime per regjistrimin e kandidateve 13.05.2024 



NJOFTIM PËR VETËKANDIDIM PËR ANËTARË TË KOMISIONIT INSTITUCIONAL ZGJEDHOR (KIZ)