Në Universitetin Bujqësor të Tiranës u inagurua hapja e një programi inovativ specializimi pasuniversitar në fushën e sigurisë ushqimore dhe shëndetit publik veterinar në Ballkanin Perëndimor, i cili për herë të parë do të realizohet në gjuhën angleze me qëllim përafrimin me standardet europiane.
Hapja e këtij programi u përgëzua nga Rektori i UBT, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku dhe Dekani i Fakultetit të Mjekësisë Veterinare, Prof. Dr. Rezart Postoli; Koordinatori i Projektit nga Universiteti i Milanos, Z. Gabriele Brecchia; Zëvendës Ministëri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Z. Arjan Jaupllari; Zëvendës Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Znj. Ana Kapaj; Përfaqësuesi i Ambasadës së Republikës Italiane në Shqipëri, Z. Sergio Alias; Profesori i Universitetit të Peruxhias, Stefano Degl'Innocenti dhe Dekani i Fakultetit të Bujqësisë në Universitetin e Korçës, Besnik Skënderasi.
Objektivat specifike të realizimit të këtij projekti kanë qëllim të përmirësojnë: cilësinë e arsimit të lartë nëpërmjet teknikave innovative të të mësuarit; njohuritë dhe aftësitë e specialistëve në disiplinat e lidhura me shëndetin publik, mjekësinë veterinare, prodhimin shtazor duke bërë të mundur zvogëlimin e distancave midis të të mësuarit dhe kërkesave të tregut; marrëdhëniet ndërkombëtare midis institucioneve, agjensive të ndryshme dhe universiteteve; transformimin digjital.
Kjo iniciativë mbështetet nga një projekt ndërkombëtar Erasmus në të cilin bëjnë pjesë Universiteti Bujqësor i Tiranës, Universiteti i Portos, Universiteti i Zenica, Universiteti i Sarajevës, Universiteti Fan Noli i Korçës, me koordinimin e Universitetit të Milanos.