Konstituohet dhe fillon punë Komisioni i Përbashkët i Studimeve dhe Kurikulave (Study Curricula Commision, SCC) në UBT.

Në kuadër të projektit UBT-BOKU 2030, më datë 16 Janar 2025, filloi punë Komisioni i Studimit dhe Kurikulës (SCC) në UBT, anëtarët e të cilit u zgjodhën pas një procesi të hapur aplikimi dhe më pas votimi nga Senati Akademik i UBT më datë 6 Dhjetor 2024.

Ky komision përfaqëson një hap transformues në zhvillimin e programeve mësimore dhe kurrikulave në UBT për periudhën në vazhdim, duke siguruar përputhjen me standardet dhe modelin e BOKU. I bazuar në modelin e zbatuar në Universitetin e Shkencave të Burimeve Natyrore dhe të Jetës, Vjenë (Universität für Bodenkultur - BOKU, Vjenë), kjo iniciativë siguron që, duke filluar nga viti ardhshëm akademik, UBT-ja do të ofrojë programe studimi ndërdisiplinore me cilësi të lartë të përafruara me universitetet e tjera në vendet e BE-së, me qëllim që ky Universitet t’i përgjigjet nevojave të sotme dhe të së adhmes për specialistë dhe ekspertë me kualifikime të nivelit internacional për zhvillimin dhe modernizimin e sektorëve ekonomik kyç të bujqësisë, blegtorisë, ushqimit e sigurisë ushqimore, mjedisit, pyjeve, shërbimit veterinar, ekonomisë bujqësore dhe zhvillimit rural. Kjo do të bëjë që ky universitet të kthehet në një universitet modern ku mësimdhënia buron nga kërkimi shkencor. Vetëm cilësia e nivelit internacional në mësimdhënie dhe kërkim shkencor, do ta bëjë UBT tërheqës për studentët më të mirë nga Shqipëria, Ballkani dhe nga vende të tjera.

Komisioni përbëhet nga 16 anëtarë (7 anëtarë nga UBT dhe 9 anëtarë nga BOKU), dhe përbëhet nga:

Prof. Ardian Maçi (UBT), Prof. Asoc, Fatmir Guri (UBT), Prof. Asoc. Ilir Kusi (UBT), Prof. Asoc. Enkeleda Berberi (UBT), Prof. Asoc. Leonidha Peri (UBT), znj. Bejan Tarja (student, UBT), z. Mateo Lazri (student, UBT), Prof. Hans-Peter Kaul (BOKU), Prof. Johann Sölkner (BOKU), Prof. Erhard Halmschlager (BOKU), Prof. Matthias Schreiner (BOKU), Prof. Rainer Haas (BOKU), Prof. Thomas Ertl (BOKU), Prof. Christine Leeb (BOKU), Ms. Christina Seiringer (student, BOKU), NN (student, BOKU).

Në mbledhjen e parë të tij, ky komision zgjodhi 2 bashkëkryetarë, konkretisht Prof. Ardian Maçi (UBT) dhe Prof. Hans-Peter Kaul (BOKU), të cilët do të drejtojnë këtë komision për 4 vitet e ardhshme. Nën kordinimin dhe drejtimin e këtij komisioni do të funksionojnë Grupet e Punës të Programeve të Studimit (Study Working Groups - SWG), të propozuara nga çdo fakultet pas një procesi të hapur përzgjedhës. Këto Grupe Pune do të bashkëpunojnë me ekipin e BOKU për zhvillimin e ofertës akademike të fakulteteve si dhe do të organizojnë takime periodike me Asamblete e Fakulteteve për informimin dhe marrjen e opinioneve të ndryshme.

Të gjitha propozimet e SWG do të diskutohen dhe miratohen në dekanatet e Fakulteteve, për të kaluar më pas për miratim në Komisionin e Studimeve dhe Kurikulës të UBT (SCC), Bordin e Manaxhimit të Projektit dhe për miratim përfundimtar në Senatin Akademik të UBT, si organi kolegjial më i lartë akademik dhe përgjegjës për përmbushjen e misionit të UBT.

Kjo strukturë garanton një proces të hapur dhe transparent, me synim shndërrimin e UBT-së në një nga universitetet më të mira të rajonit të Ballkanit për shkencat bujqësore dhe të jetës, i integruar plotësisht në rrjetin e universiteteve evropiane.

Studentët të Fakultetit të Ekonomisë dhe Agrobiznesit bëhen pjesë e një leksioni të hapur