Në kuadër të intensifikimit të bashkëpunimit ndërkombëtar, Universiteti Bujqësor i Tiranës vazhdon zgjerimin e kontakteve me Institucione partnere me interes në fushën e edukimit, kërkimit shkencor dhe transferimit të teknologjisë në fushën e bujqësisë. Në këtë kuadër, më datë 18 Tetor 2024, u firmos marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe Universitetit Ndërkombëtar Helenik të Selanikut, Greqi (International Hellenic University, Greece). Marrëveshja u firmos nga Prof. Stamatios Angelopoulos, Rektor i Universitetit Ndërkombëtar Helenik të Selanikut, Greqi dhe Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku.
Marrëveshja parashikon forcimin e bashkëpunimit akademik, arsimor dhe kërkimor midis dy universiteteve, organizimin e aktiviteteve të përbashkëta shkencore në interes të përbashkët, shkëmbim të stafeve akademike dhe studentëve, pjesëmarrje në projekte të përbashkëta kërkimore dhe shkencore, etj.
Universiteti Bujqësor i Tiranës, institucioni publik më i rëndësishëm i arsimit të lartë bujqësor në vend, vazhdon të fuqizojë objektivin e tij kryesor për zgjerimin e këtyre bashkëpunimeve në rajon me qëllim shndërrimin e tij në një aktor kyç në transferimin e njohurive, si dhe lider në inovacion, transferimin e njohurive dhe teknologjisë për modernizimin e sektorit të bujqësisë, ushqimit, burimeve mjedisore dhe zhvillimit ekonomik dhe rural në Shqipëri dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor.