Universiteti Bujqësor i Tiranës hedh një tjetër hap të rëndësishëm, këtë herë duke bashkëpunuar me UNIDO (përfaqësues të Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar [KASH] dhe ekspertë ndërkombëtarë në dixhitalizim dhe inovacion) për ndërtimin e një platforme dixhitale që modernizon sektorin e agrobiznesit në Shqipëri.
Për të nxitur inovacionin tek ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në sektorin e bimëve mjekësore dhe aromatike, po zhvillohet një platformë dixhitale nga UNIDO në kuadër të Programit Global për Cilësinë dhe Standardet, e cila do të menaxhohet nga UBT dhe synon të mbështesë fermerët e aktorët kryesorë të sektorit që të fitojnë njohuri e aftësi të reja dhe të rrisin kapacitetin e tyre inovativ.
Kjo iniciativë është një hap i rëndësishëm drejt një agrobiznesi të qëndrueshëm dhe konkurrues, duke integruar teknologjinë me traditën për një të ardhme më të sigurt për agrobiznesin shqiptar, në përmbushje edhe të kërkesave të tregjeve kombëtare dhe ndërkombëtare.