Në kuadër të punës në grupe për përgatitjen e ofertës së re akademike të programeve Bachelor të UBT, ka nisur puna për një program tërësisht të ri "Teknologji Informacioni (IT) në Bujqësi dhe Mjedis", i cili do të jetë i orientuar drejt automatizimit dhe digjitalizimit.
Për këtë qëllim u organizua një workshop me pjesëmarrjen e grupit të punës për këtë program dhe pedagogëve të tjerë të UBT me kompetenca në këtë fushë, profesorëve të BOKU dhe Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Wiener Neustadt, Austri, Universitetit Politeknik të Tiranës, bizneseve që zbatojnë teknologji automatizimi dhe digjitalizimit, si dhe studentëve.
Pas prezantimit të programit të studimit të propozuar dhe atij homolog të Universitetit të Shkencave të Aplikuara, pjesëmarrësit punuan në grupe për të përcaktuar grupin e synuar të maturantëve, orientimin e programit (teorik kundrejt aplikativ), kompetencat ekzistuese në UBT përfshirë edhe universitetet dhe bizneset partnere.
Puna vazhdon për të zgjedhur modelin më të përshtatshëm të kurrikulës duke vlerësuar edhe nevojat e tregut të punës dhe bizneseve në Shqipëri.
Ky program do të ofrojë perspektiva të shkëlqyera punësimi si specialistë të teknologjive pranë bizneseve të mëdha, në sektorin publik për sistemet që lidhen me politikat dhe administrimin bujqësor, menaxhimin e mjedisit, konsulentë të lirë që ofrojnë zgjidhje digjitale dhe precize për fermat dhe bizneset apo të fillojnë biznesin e tyre në shërbime automatizimi dhe digjitalizimi.