Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku zhvilloi një takim me Drejtorin e Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, Z. Erlind Sulo për të shkëmbyer ide dhe për të diskutuar mënyra bashkëpunimi drejt një partneriteti të frytshëm mes dy institucioneve.
Gjatë takimit u diskutuan mundësitë e shkëlqyera të bashkëpunimit mbi projekte të përbashkëta kërkimore që lidhen me burimet natyrore dhe mbi rëndësinë e programeve të trajnimit për studentët e fermerët për menaxhimin e burimeve natyrore dhe teknologjitë e reja në bujqësi.
Të dyja palët rakorduan në arritjen e një qëllimi të përbashkët për të formuluar bashkarisht politika që mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm në bujqësi dhe mbrojtjen e burimeve natyrore, aftësimin e studentëve për tregun e punës dhe rritjen e kapaciteteve të burimeve njerëzore në sektorin e burimeve natyrore.
Përfaqësuesit e dy institucioneve lanë të hapur takimin e radhës për të konkretizuar objektivat e bashkëpunimit të finalizuar përmes një marrëveshjeje.