Implementimi i Strategjisë BOKU-UBT 2030 po hedh hapa historikë në transformimin e Universitetit Bujqësor të Tiranës, duke arritur sot në finalizimin e ofertës së re akademike të ciklit Bachelor të UBT, e cila do të nisë të zbatohet në tetor të këtij viti.
Më shumë se 50 profesorë të shquar nga UBT dhe Universiteti BOKU i Vjenës, me pjesëmarrjen aktive të Komitetit të Kurrikulave të Studimit dhe Grupeve të Punës, po zhvillojnë një punë intensive për riorganizimin e programeve të studimit të UBT duke krijuar tetë programe të reja në nivelin Bachelor.
Ky proces ka përfshirë muaj të tërë analizash, vizita studimore në BOKU dhe UBT, konsultime të gjera me aktorë të tregut, studentë dhe ish-studentë, përfaqësues të fakulteteve dhe departamenteve, për të sjellë një ofertë akademike moderne, të përafruar me standardet europiane dhe të orientuar sipas kërkesave të tregut të punës.