Senati Akademik i Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT) nderoi sot ish-pedagogun e Fakultetit të Ekonomisë dhe Agrobiznesit, si dhe një nga sipërmarrësit më të shquar në vend, Dr. Behar Male, me titullin "Doctor Honoris Causa".
Ky titull u dha në një ceremoni të veçantë të Senatit Akademik të UBT, me motivacionin: “Për vlera të çmuara njerëzore, kontributin dhe mbështetjen e pakursyer dhe të vazhdueshme për Universitetin Bujqësor të Tiranës, si dhe rolin e spikatur në fushën e ekonomisë, arsimit dhe kulturës në Shqipëri”.
Gjatë 30 viteve të fundit, përmes guximit dhe talentit të tij, Z. Behar Male është shndërruar në një nga biznesmenët më të suksesshëm në vend, duke demonstruar vlera, talent, përkushtim dhe mbi të gjitha, vizion të thellë dhe humanizëm.
Për Universitetin Bujqësor të Tiranës, ky është një moment veçanërisht domethënës, pasi kontributi dhe përkushtimi i Zotit Male ndaj arsimit gjatë gjithë karrierës së tij profesionale, si dhe ndjeshmëria e tij për përmirësimin e infrastrukturës mësimore në UBT, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme tek çdo student dhe staf akademik.
Vlerësimet për personalitete të tilla si Dr. Behar Male janë bërë tashmë një detyrim i natyrshëm për Universitetin Bujqësor të Tiranës. Në emër të traditës dhe historisë që ka ky Universitet, vlerësimi dhe kujdesi për ata që kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë në zhvillimin dhe promovimin e këtij institucioni, brenda dhe jashtë vendit, është një nder dhe një detyrim moral.
Ky titull nuk është vetëm një shpërblim i një karriere të lavdishme, por edhe një shenjë vlerësimi për përkushtimin e tij të palodhur në zhvillimin e sektorit të ekonomisë dhe për kontributin e tij në ndihmë të brezave të rinj për t'u pajisur me dije të vyera. Ai është gjithashtu një simbol i bashkëpunimit të fortë mes arsimit dhe praktikës, drejt zhvillimit të qëndrueshëm, si dhe një inspirim për rrugën e suksesit.