Universiteti Bujqësor i Tiranës nënshkruan Marrëveshje Bashkëpunimi me Agjencinë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it

Nëpërmjet një marrëveshje të firmosur sot nga Rektori i UBT, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku dhe Drejtoreshës së Agjencisë Kombëtare të Cannabis-it, Prof. Ass Linda Pustina, Universiteti Bujqësor i Tiranës vazhdon të zgjerojë fushat e bashkëpunimit me aktorë dhe agjenci të rëndësishme në vend.

Ndër shumë aktivitete të tjera, në këtë Marrëveshje UBT merr përsipër të kontribuojë në fushën e këshillimit, hartimin e strategjive, manualeve,  udhëzimeve dhe aspekteve teknike mbi rregulloret në fushën e kontrollit, kultivimit dhe përpunimit të bimës së cannabis-it dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore e industriale.

Përveç kësaj, stafi i UBT do të përfshihet në studime mbi përmirësimin e teknikave të kultivimit dhe përpunimit të cannabis-it industrial dhe mjekësor, hartimin dhe përditësimin e standardeve kombëtare për cilësinë dhe sigurinë e bimës së cannabis-it, hartimin dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta kërkimore, shkëmbimin e njohurive për zbatimin e praktikave të mira bujqësore dhe laboratorike (GACP dhe GLP), sigurimin e asistencës teknike në implementimin e teknologjive të reja për prodhimin e qëndrueshëm të cannabis-it dhe monitorimin e proceseve, si dhe ofrimin e kurseve të trajnimit për punonjësit e Agjencisë pranë UBT-së.

Aspekt shumë i rëndësishëm i kësaj Marrëveshjeje është fuqizimi dhe vendosja në dispozicion e laboratorit shkencor të UBT-së për kryerjen e analizave kimike dhe studimeve shkencore të përbashkëta apo në kuadër të projekteve të ndryshme.

Palët bien dakord që të organizojnë takime të përbashkëta, konferenca dhe veprimtari të tjera mbi çështje me interes të përbashkët.

Implementimi i kësaj Marrëveshjeje të radhës dëshmon seriozitetin, rëndësinë dhe vlerat që përfaqëson UBT, si dhe rëndësinë që ky institucion vazhdon t’i japë fuqizimit të rolit të tij në transferimin e teknologjive në vijim të implementimit të Strategjisë UBT-BOKU 2030.


Call for Participation in the Training Course:“Visualizing and Analyzing Spatial Data in R”