Universiteti Bujqësor Tiranës hedh një hap tjetër të rëndësishëm në forcimin e rolit të tij si ofrues i shërbimeve të konsulencës në dobi të institucioneve e aktorëve qendrorë dhe lokalë.
Marrëveshja e firmosur sot nga Rektori i UBT, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku dhe Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Z. Arbjan Mazniku, shndërron UBT në institucionin e referencës për ofrimin e këshillimit në hartimin e projekteve dhe ofrimin e trajnimeve për institucionet dhe administratën vendore.
Nëpërmjet kësaj Marrëveshjeje, e cila do të vihet në jetë në vitin 2025, pushteti vendor do ketë këshillim nga ekspertët më të mirë të Universitetit Bujqësor në fushën e bujqësisë, zhvillimit rural dhe mbrojtjes së pyjeve.
UBT do të ndihmojë bashkitë në hartimin e rreth 30 projekteve të para-fizibilitetit, do të ofrojë asistencë praktike në terren për bashkitë me profil bujqësor e rural, si edhe do t’i bashkëshoqërojë në rrugëtimin drejt BE.
Po ashtu,
do të mundësojë edhe asistencë teknike për identifikimin e faktorëve që rrisin
prodhimin bujqësor dhe forcojnë pozitën e tyre në tregjet e brendshme dhe të
eksportit.
Kjo marrëveshje është një tjetër dëshmi e rëndësisë që UBT i jep funksionit të tretë të tij, atë të transferimit të teknologjive të reja dhe know how.