Ambasadori i Brazilit në Shqipëri, Z. João Tabajara de Oliveira Júnior, vizitoi Universitetin Bujqësor të Tiranës ku u mirëprit nga Rektori i këtij institucioni, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku dhe stafi drejtues i tij.
Gjatë takimit u trajtuan një sërë çështjesh ku u pa me interes bashkëpunimi mes institucioneve akademike të të dy shteteve në kuadër të shkëmbimit të studentëve, stafit akademik, të kërkimet shkencore dhe të shkëmbimit të teknologjive e eksperiencave.
Ndërkaq Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Sallaku e prezantoi Ambasadorin me arritjet e deritanishme të Universitetit Bujqësor të Tiranës, me ambiciet e tij dhe të stafit akademik për ta bërë atë një ndër institucionet e arsimit të lartë lider jo vetëm në vend por edhe më tej.
Ambasadori përgëzoi drejtuesit e UBT-së për përpjekjet e vazhdueshme intensive për evoluimin dhe dëshirën për të progresuar këtë institucion dhe për të zgjeruar bashkëpunimin e mëtejshëm me fakultetet e tij.
Duke premtuar se kjo nuk do të jetë vizita e fundit në Universitetin Bujqësor të Tiranës, Ambasadori i Brazilit shprehet i impresionuar me kapacitetet dhe mundësitë e bashkëpunimit që ofron ky insitucion dhe lë të hapur mundësinë që takimi i radhës të finalizohet me një marrëveshje.