Kodi i etikës

 

Universiteti Bujqësor i Tiranës (UBT) është një Institucion i Arsimit të Lartë (IAL) me fokus kryesor në shkencat e bujqësisë dhe mjedisit, ekonomisë dhe agrobiznesit, mjekësisë veterinare, zooteknisë, inxhinierisë pyjore dhe të përpunimit të drurit, bioteknologjisë dhe ushqimit. Gjatë aktivitetit mësimor e kërkimor shkencor UBT ka për qëllim:

  • të përgatisë specialistë dhe kërkues shkencor në fakultetet përkatëse të cilët janë pjesë përbërëse e tij;
  • të nxisë në mënyrë të vazhdueshme kërkimin shkencor dhe teknologjik për formimin e inxhinierëve agrarë, ekonomistëve, mjekëve veterinerë, inxhinierëve të pyjeve dhe të industrisë së drurit, teknologëve agroushqimorë dhe kerkuesve të rinj;
  • të marrë pjesë aktivisht në zhvillimin ekonomik dhe teknologjik, lokal dhe rajonal si dhe në jetën akademike evropiane,
  • të marrë pjesë në përgatitjen e politikave publike të arsimimit dhe të kërkimit shkencor në nivele të ndryshme bazuar në eksperiencën dhe statutin e tij.

 

Kodi i etikës i UBT-së  shpreh publikisht parimet bazë, normat dhe veprimet që duhen zbatuar gjatë realizimit të procesit mësimor, kërkimit shkencor dhe transferim teknologjie në përputhje me misionin dhe vizionin e tij.

 

Kodi i etikës i UBT-së i adresohet:

Të gjithë stafit akademik dhe personelit ndihmës të të gjitha funksioneve, studentëve, si dhe të gjithë personave që duan të jenë pjesë e UBT-së, për t’ju lejuar të ndajnë një jetë akademike e profesionale, ku vlerat personale dhe kolektive bashkëjetojnë dhe ekuilibrohen brenda këtij institucioni.

Kodi i etikës i UBT-së është hartuar si plotësues i dokumentave si vijon:

  • Statutit të UBT-së;
  • Deklaratës së Bolonjës;
  • Kodit të Punës të Republikës së Shqipërisë;
  • Ligjit të Arsimit të Lartë nr. 80/2015;
  • Planit strategjik të UBT-së, për periudhën 2022-2025.

Kodi i etikës i UBT-së përqendrohet rreth tre çështjeve kryesore duke saktësuar parimet dhe raportet e bashkëveprimit midis:

  • Institucionit dhe shoqërisë;
  • Institucionit dhe studentëve të tij;
  • Institucionit dhe personelit të tij.

 

  1. Institucioni dhe Shoqëria

 

Në kuadër të raportit me shoqërinë, UBT angazhohet:

  • të formojë specialistë dhe kërkues kompetentë dhe të përgjegjshëm, me qëllim që profilet e tyre të kualifikimit t’i përgjigjen nevojave të shoqërisë,
  • të sigurojë në nivelet më të larta formimin e kërkuesve duke i dhënë akses në mjediset kërkimore dhe duke i lejuar të shprehin kapacitetet krijuese,
  • të japë ndihmë në përgatitjen e vazhdueshme me qëllim pjesëmarrjen në shpërndarjen e njohurive dhe promovimin e kualifikimeve profesionale,
  • t’i sjellë komunitetit shkencor dhe kolektivit, rezultatet e kërkimit në fushat e avancuara të shkencës dhe teknologjisë dhe të kontribuojë në vlerësimin e këtyre rezultateve,
  • të marrë pjesë në administrimin kolektiv të formimit dhe të kërkimit në nivel universitar, kombëtar dhe më gjerë,
  • të kontribuojë në zhvillimin ekonomik, në respekt të barazisë sociale, të mjedisit dhe të interesave të brezave që do të vijnë,
  • të përcaktojë metodat dhe treguesit e vetëvlerësimit të të gjitha aktiviteteve, dhe t’i nënshtrohet aktivisht vlerësimit të instancave kompetente.

 

Për të realizuar synimet e mësipërme UBT pret nga shoqëria, veçanërisht nëpërmjet përfaqësuesve politikë dhe administrativë, përgjegjësve ekonomikë dhe industrialë si dhe grupimeve shoqërore, sindikatave dhe profesionistëve që shoqëria:

  • të shprehet në favor të nxitjes së kompetencave të institucionit;
  • të përcaktojë, në kuadrin e një qasjeje kontraktuale të negociuar, misionet që i përkasin dhe që ajo duhet t’i shoqërojë me mjetet dhe mbështetjen e nevojshme;
  • të marrë pjesë në instancat vendimmarrëse të institucionit, të vlerësimit të objektivave të tij;
  • të respektojë autonominë e institucionit në modalitetet dhe realizimit të misioneve të tij;
  • të vlerësojë rezultatet e arritura.

 

  1. Institucioni dhe Studentët

Misioni formues i UBT-së në radhë të parë konsiston në ndjekjen (shoqërimin) e studentëve në rrugën e formimit duke respektuar projektet e tyre personale. Për këtë qëllim ai zbaton në fakultetet dhe në njësitë e tjera akademike formimin shkencor, teknik dhe profesional, që nga njëra anë i japin studentit njohuri të nivelit të lartë, kompetenca profesionale dhe kulturë dhe nga ana tjetër zhvillojnë aftësinë e punës në grup dhe cilësinë e qytetarit të përgjegjshëm përpara shoqërisë për zgjidhjet dhe zgjedhjet e tij.

Për këtë qëllim institucioni angazhohet që:

  • të zhvillojë të gjitha programet e formimit dhe planifikimit në njësitë mësimdhënëse dhe në inkuadrimin e studenteve;
  • të ndihmojë çdo student të krijojë projektin e tij profesional duke patur parasysh dëshirat e tij dhe duke e informuar për tregun e punës në të gjithë diversitetin e tij;
  • t’i japë studentëve dhe doktorantëve, përveç ndihmës për formim, një program pune për të favorizuar zhvillimin e tyre personal, duke ofruar mundësi formimi të propozuara nga fakultetet;
  • të marrë në konsideratë, në procedurat e vlerësimit, përfshirjen e studentëve në hartimin e projektit të tyre personal dhe profesional, në jetën shoqërore dhe në pjesëmarrjen në këshillat e institucionit,
  • t’u çojë vlerësimet organizmave kompetente, publike apo private, për t’u siguruar studentëve të tij, kushte pritjeje të favorshme për zhvillimin e studimeve të tyre.

 

UBT pret nga studentët e tij që:

  • të marrin pjesë në mënyrë aktive në realizimin e objektivave dhe kërkesave të shprehura në programet pedagogjike dhe rregulloret e universitetit dhe të fakulteteve, si vazhdim natyral i pranimit të tyre në një nga fakultetet e UBT-së;
  • të angazhohen, të jenë aktorë të formimit të tyre, të marrin pjesë në tërësinë e aktiviteteve që zhvillohen, të përforcojnë njohuritë dhe kapacitetet e tyre në ndihmë të tërësisë së mjeteve që i janë vënë në dispozicion, të zhvillojnë autonominë dhe të ndjekin përmbushjen e projektit të tyre personal;
  • të marrin pjesë tërësisht në projektet dhe aktivitetet e tjera të universitetit;
  • të sjellin një bashkëpunim aktiv në instancat ku përfaqësohen, jo të limituar në mbrojtje të interesave të disa kategorive;
  • të sillen me respekt dhe pa diskriminim ndaj çdo personi;
  • të pasurojnë institucionin me eksperiencën e tyre, si gjatë shkollimit ashtu dhe gjatë jetës aktive;
  • të kenë përgjegjshmëri të plotë të aspekteve të ndryshme të jetës së tyre të ardhshme profesionale dhe sociale.

 

  1. Institucioni dhe Personeli

Institucioni angazhohet t’i sigurojë personelit të tij:

  • kushte pune të përshtatshme dhe mjete materiale në raport me detyrën e ngarkuar;
  • informacione të rregullta, të plota dhe të qarta si dhe një mjedis profesional që vlerëson punën e tyre;
  • një mjedis social duke inkurajuar bashkëpunimin dhe solidaritetin, një mjedis pune të hapur që garanton pavarësinë e tyre në gjykim;
  • kushte favorizuese në marrjen e informacionit, në mobilitetet profesionale dhe në marrjen e përgjegjësisë në të gjitha fushat;
  • praktika, vlerësime transparente dhe një administrim aktiv të karrierave, duke hapur perspektiva për emërime dhe ngritje profesionale;
  • një dëgjim të kujdesshëm për të gjitha problemet e etikës, që dalin në kuadër të aktivitetit të tyre profesional;
  • në fushën e kërkimit dhe të doktoraturave, respektin ndaj atributeve dhe detyrave të kërkuesve në të gjitha etapat e karrierës së tyre, në të gjitha fushat, përfshirë kontributin dhe marrjen e përgjegjësisë në administratë.

 

UBT pret nga personeli

  • një punë korrekte dhe efikase, që respekton detyrimet profesionale, morale si dhe vlerat e shprehura në rregulloret bazë të UBT-së;
  • një angazhim të sinqertë të punës në grup, të jap ose të kontribuojë në mësim, në kërkim apo shërbim cilësor dhe të propozojë inovacione, që mund të përforcojnë performancën pedagogjike dhe shkencore të institucionit;
  • vlerën e respektit dhe heqjen e diskriminimit ndaj çdo personi dhe veçanërisht ndaj studentëve;
  • mbrojtjen e interesave kolektive, mbajtjen në gjendje të mirë të pasurisë së institucionit dhe një përdorim të arsyeshëm të burimeve të saj;
  • një dëshirë të formimit të vazhdueshëm;
  • një pjesëmarrje aktive në instancat përfaqësuese, jo të kufizuar në mbrojtje të kategorive të interesit dhe një përfaqësim pozitiv të institucionit në organizmat jashtë tij;
  • një disponibilitet ndaj të gjitha kërkesave të rëndësishme për të shtuar ndihmën ndaj institucionit, fakulteteve, departamenteve, laboratorëve dhe shërbimeve.

 

Zbatueshmëria e Kodit të etikës

  • UBT-ja angazhohet të respektojë parimet e këtij kodi në tërësinë e aktiviteteve të tij dhe të rregullave të funksionimit, veçanërisht në këshillat dhe komisionet në nivel institucioni, fakulteti, departamenti;
  • UBT-ja angazhohet t’i referohet parimeve bazë të këtij kodi, në të gjithë dokumentacionin e brendshëm si: rregullore të brendshme, rregullore të shkollimit, programe pedagogjike, rregullore e etikës, rregullore specifike, të higjienës dhe sigurisë në punë, etj.
  • Ky kod dhe dokumentat e tjera shoqëruese, do t’i vihen ne dispozicion të gjithë studentëve, stafit akademik dhe personelit. Ato bëhen pjesë e dokumentave të pranimit për të gjithë personat që marrin funksionet e tyre në këtë institucion dhe për të gjithë studentët e pranuar;
  • UBT-ja do të zbatojë një politikë të vetëvlerësimit dhe të vlerësimit duke u mbështetur në (i) mjete dhe tregues të vetëvlerësimit të aktiviteteve të tij, në veçanti përsa i përket vlerësimeve të mësimit e kërkimit, dhe (ii) të instancave me reputacion duke nxitur për këtë qëllim, instanca të ndryshme kompetente të lidhura me vlerësimin e institucioneve universitare.