Departamenti i Fizikës dhe Shkencave të Aplikuara

Departamenti i Fizikës dhe Shkencave të Aplikuara është një nga tre Departamentet e Fakultetit të Shkencave Pyjore dhe shtëpia e mjaft fushave shkencore që i ofron studentëve të UBT njohuri të ndryshme nga Fizika, Meteorologjia/Agrometeorologjia, Erozioni dhe Sistemimet Malore, Gjeodezia, GIS, Remote Sensing, Fiziologjia e Bimëve dhe e Drurëve Pyjorë.

Departamenti,  i krijuar në vitin 2015, është aktivisht i përfshirë në aktivitete të mësimdhënies dhe të kërkimit shkencor. Përveç mësimdhënies dhe kërkimit shkencor, anëtarët e Departamentit marrin shpesh pjesë dhe drejtojnë seminare, workshop-e dhe organizojnë konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare.

Personeli i Departamenti përbëhet nga 7 punonjës akademikë: një Profesor, dy Profesorë të Asociuar, tre doktorë, një mastër dhe një person ndihmës dhe dy grupe mësimore-kërkimore: Grupi i Fizikë-Meteorologji dhe Grupi i Shkencave të Aplikuara. Këto grupe publikojnë regullisht artikuj në revista lokale dhe ndërkombëtare dhe prezantojnë artikuj në Konferenca Kombëtare dhe Ndërkombëtare.

Misioni i Departamentit të Fizikës dhe Shkencave të Aplikuara varion nga ofrimi i një niveli të avancuar mësimdhënie në fushat e studimit që ai mbulon, deri në kërkim shkencor për të përgatitur studentë të aftë të nivelit bachelor dhe atë master dhe që të kenë mundësi të punësohen në sistemin akademik, në bujqësi, pylltari, industri dhe agjensi të ndryshme publike dhe private. Po ashtu, ofrimi agjensive qeveritare, sektorit publik dhe atë privat dhe publikut në tërësi i shërbimeve që kanë të bëjnë me Agrometeorologjinë, Erozionin Ujor të Tokës, Gjeodezisë dhe GIS dhe që plotësojnë standardet kombëtare dhe ato ndërkombëtare.

Siç edhe u theksua në misionin e tij, objektivat e Departamenti kanë për qëllim të sigurojnë një edukim të spikatur dhe dallues, të realizojnë një program të gjerë dhe të gjallë kërkimi shkencor dhe me cilësi të lartë për studentët e nivelit bachelor dhe atë master e më gjerë dhe të sigurojë një këshillim ndaj përdoruesve dhe politikëbërësve në sektorin e mjedisit, bujqësisë/pylltarisë, ujit.

Puna kërkimore e Departamentit është e orientuar në fushat e mëposhtme primare të kërkimit: modelimi i lëvizjes së ujit në tokën e ngopur dhe të pangopur, modelimi i cilësisë së ujrave sipërfaqësore, modelimi i erozionit ujor të tokës, zbatime të GIS në menaxhimin e pasurive natyrore, vlerësimi i performancës energjitike dhe higrometrike të elementeve konstruktivë të ndërtesave prej druri dhe ndërveprimi ndërmjet rritjes parësore dhe dytësore në drurët pyjorë dhe përgjigja ndaj faktorëve mjedisorë.

Në fushën e shërbimeve, Departamenti u ofron ekspertizë dhe ndihmë teknike politikëbërësve dhe antarëve të paneleve të ndryshme këshillimore të nivelit kombëtar dhe atë lokal dhe përhap shqetësimet e komunitetit në fushën e problemeve që kanë lidhje me ndryshimet klimatike dhe mbrojtjen e mjedisit.
Departamenti realizon shumë bashkëpunime me grupe të tjera mësimore-kërkimore në UBT dhe më gjerë dhe kontakte me kërkues shkencorë të tjerë në fushën e bujqësisë, pylltarisë dhe industrisë.