Përshkrimi i Departamentit

Departamenti i Moduleve Morfofunksionale (DMMF) është një nga katër departamentet e Fakultetit të Mjekësisë Veterinare (FMV), të Universitetit Bujqësor të Tiranës.

Ky department është krijuar në vitin 1994 me emërtimin Departamenti i Lëndëve Morfofunksionale, duke patur në përbërje seksionet e Anatomisë (Anatomi, Histologji, Embriologji) dhe të Biokimi-Fiziologjisë (Biokimi, Fiziologji), por disiplinat didaktike që përfshihen në të kanë qënë pjesë integrale e studimeve në FMV që në vitin 1952, vit në të cilin nisi rrugëtimin Fakulteti i Mjekësisë Veterinare në Shqipëri.

Në organizimet e hershme të strukturës së FMV, nisur nga viti 1952, lëndët Anatomi, Histologji, Embriologji, Biokimi, Fiziologji kanë qënë të grupuara në katedra. Kështu sipas strukturës së FMV të viteve 1981-1990, lëndët Biokimi, Fiziologji së bashku me lëndën Biologji përfshiheshin në Katedrën e Biologjisë; ndërsa lëndët Anatomi, Anatomi-Histologji së bashku me Anatomi Patologjike përfshiheshin në katedrën e Anatomisë.    

  Aktiviteti shkencor i Katedrës së Biologjisë ishte: “studimi dhe luftimi i sëmundjeve metabolike në kafshët bujqësore”; ndërsa aktiviteti i Katedrës së Anatomisë ishte: “studime në fushën e hematologjisë veterinare”. Sipas organigramës së FMV të vitit 2016 e në vijim, Departamenti njihet si Departamenti i Moduleve Morfofunksionale.

Mësimdhënia

Mësimdhënia fokusohet në njohuri mbi lëndë bazë apo karakterizuese të këtyre programeve të studimit, si:

  • Anatomi e Kafshëve: Hyrje në Anatomi, Anatomi Topografike, Anatomi e Aplikuar, Anatomi e Kafshëve
  • Histologji dhe Embriologji
  • Biokimi e kafshëve
  • Fiziologji e kafshëve
  • Etologji dhe Mirëqënie e Kafshëve
  • Biokimi – Fiziologji

Pjesa teorike dhe praktike e programit të secilit prej moduleve është ndërtuar në funksion të marrjes së një informacioni të plotë në disiplinat e sipërcituara, të mbajtura në semestrat I-IV të programit të studimit “Mjekësi Veterinare” dhe të semestrave I – II të programit të studimit “Menaxhim Veterinar”, si dhe është e koordinuar me programet e moduleve që mbahen në Departamentet e tjera të FMV, në funksion të një diplome të përbashkët në “Mjekësi Veterinare” apo “Menaxhim Veterinar”.

 

Stafi akademik i DMMF mban mësim edhe në Departamentet: “Biologji Marine dhe Akuakulturë” dhe “Shkencat zooteknike”, të Fakultetit të Bujqësisë dhe Mjedisit (FBM), në programet Bachelor dhe Master Shkencor, në modulet:

  • Bazat e anatomi dhe fiziologji e kafshëve
  • Anatomi dhe fiziologji e peshqve
  • Biokimia
  • Biokimia dhe rregullimi hormonal i prodhimtarisë dhe riprodhimit

Përmbajtja e programeve mësimore të moduleve është e përshtatur për të korresponduar me fokusin specifik të secilit department të FMV-së dhe të secilit program studimi të ofruar në programet e studimit të FMV dhe FBM.


Misioni dhe vizioni

Departamenti i kryen aktivitetet e tij në kontekstin e misionit dhe vizionit të Fakultetit të Mjekësisë Veterinare dhe të Universitetit Bujqësor të Tiranës.

Departamenti i Moduleve Morfofunksionale, duke qënë pjesë integrale e FMV, së bashku me tre departamentet e tjerë të FMV-së përhapin njohuri për programin e integruar të nivelit të dytë (DIND) dhe programin dy-vjeçar profesional në FMV, për nivelet Bachelor dhe Master në FBM, po ashtu edhe për shkollën e Doktoraturës në “Shkencat veterinare”. Përmes ekspertizës së stafit të tij DMMF kontribuon në zhvillimin e shkencave veterinare dhe formësimit të mjekëve veterinerë, menaxherëve veterinerë apo specialistëve të prodhimit shtazor dhe akuakulturës, të formësuar me dije, kompetencë dhe integritet profesional.

 

Trajnimet dhe Eksperiencë

Stafi akademik dhe ndihmës akademik i Departamentit të Moduleve Morfofunksionale ofron shërbime laboratorike në Laboratorët e Biokimisë, Fiziologjisë, Anatomisë dhe Histologjisë në FMV, si edhe ekspertizë, konsultime, trajnime dhe programe të edukimit të vazhduar për veterinerët në komunitet.

 

Ekspertizë

  • Ekspertizë në analizat mjekësore veterinare: biokimike, hematologjike dhe hormonale. Realizohet përmes analizimit me metoda të automatizuara dhe interpretimit të analizave klinike biokimike, hormonale dhe hematologjike; regjistrimit dhe arkivimit të ekzaminimeve laboratorike të kryera me qëllim sigurimin në cdo kohë të historikut të diagnostikimeve të pacientit.
  • Ekspertizë mbi diagnostikimin e çrregullimeve me natyrë neoplastike hematologjike dhe të tjera në qen dhe mace me metoda të avancuara. Realizohet përmes: Interpretimit të analizave të kryera me metoda të ndryshme si: immunohistokimi, immunocitokimi, citologji dhe citometri me fluks.
  • Vlerësim makroskopik dhe mikroskopik i tipareve morfologjike në kafshë dhe peshq.
  • Vlerësimi i manipulimeve në karkasat e kafshëve shtëpiake.
  • Ekspertizë në fushën e anatomisë, në ndarjen anatomike të mishit si dhe në fushën e Osteologjisë së Krahasuar të kafshëve.
  • Vlerësim i karkasave dhe organeve nga pikpamja makro si dhe vlerësimi mikro i indeve dhe i organeve të ndryshme të kafshëve.
  • Ekspertizë në fushën e kontrollit dhe inspektimit të mishit dhe peshkut.

 

Konsulencë

  • Konsulencë mbi luftimin e myazave në gjedhë dhe dhi: konsulencë për fermerët për luftimin e myazave (hypodermozës) në gjedhë dhe dhi.
  • Konsulente në fushën e kontrollit dhe inspektimit të mishit dhe peshkut: konsulencë për fermerët/bizneset që trajtojnë produkte me origjinë shtazore lidhur me kontrollin dhe inspektimin të mishit dhe peshkut.
  • Konsulencë për realizmin e strishove histologjike dhe interpretimin e tyre.

 

Trajnime

  • Trajnim për mirëqënien e kafshëve gjatë transportit dhe në thertore: Trajnime për trajnerë/fermerë për mënyrën e trajtimit të kafshëve gjatë gjithë hallkave të transportit të tyre që nga vendi i origjinës deri në destinacionin final, si dhe trajtimi i kafshëve gjatë manipulimit me to në thertore.
  • Trajnime mbi luftimin e myazave: Trajnime për trajnerë/fermerë mbi luftimin e myazave (hipodermozës) në gjedhë dhe dhi.
  • Trajnime në fushën e anatomisë rajonale: Trajnime për veterineret që merren me oparacione tek kafshët ose punojnë në fushën e Radiologjisë ose Ekografisë