“Institute of Soil Science & Conservation”, Giessen Germany (1998-2002); “Humboldt University of Berlin”, Germany (2004-2005), etj. Ai mban titullin “Profesor” që prej vitit 2010 dhe është lektor pranë Grupit Mësimor Kërkimor të “Shkencës së Tokës” në lëndët “Menaxhimi dhe Administrimi i Tokës”, “Vlerësimi dhe Menaxhimi i Burimeve Natyrore” etj.
Prej shumë vitesh ka fokusuar kërkimin dhe ekspertizën shkencore tek aspektet mjedisore që lidhen me tokën, degradimin dhe mbrojtjen e saj, tek problematikat e zhvillimit rural, politikat agro-mjedisore etj. Ai numëron rreth 60 publikime nga të cilët 10 artikuj shkencorë janë të indeksuara në ‘’Impact Factor’’ ose ‘’Scopus’’ në revista të njohura si: “Environmental Modeling & Assessment”, “Journal of Chemical Technology and Metallurgy”, “Ecology, Environment and Conservation”, “Research Journal of Agricultural Science”, “Journal of Ecological Engineering”, “Journal of Food Agriculture and Environment”.
Ai ka marrë pjesë si koordinator shkencor ose anëtar i ekipeve kërkimore në mbi 40 projekte kërkimore konkuruese kombëtare dhe europiane të tilla si; TEMPUS, Interreg, CB, USAID, FAO, etj. Gjithashtu ka marrë pjesë si folës në mbi 60 konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare ndërsa në vitin 2019 ka organizuar dhe drejtuar Konferencën Europiane të Shkencës së Tokës në Tiranë.
Aktiviteti dhe karriera e tij shtrihet përtej sferës akademike, pasi ka shërbyer dhe shërben për organizata dhe kompani ndërkombëtare dhe lokale si drejtues projektesh dhe ekspert ndërkombëtar dhe lokal në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni e Veriut për çështje të lidhura me Politikën e Përbashkët Bujqësore të BE-së, në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe zhvillimit rural.
Në datën 30 korrik 2020 ai u
zgjodh Rektor i UBT-së duke marrë zyrtarisht detyrën në 24 gusht të po të
njëjtit vit.
PËRGJEGJËSITË & KOMPETENCAT:
Rektorati është organ vendimmarrës kolegjial. Ai drejtohet nga rektori dhe përbëhet nga rektori, zëvendësrektorët, administratori i UBT-së dhe dekanët e fakulteteve.
Rektorati:
• Harton planin strategjik të zhvillimit të UBT –së, mbështetur në propozimet e departamenteve dhe fakulteteve të universitetit.
• Realizon kontrolle periodike në njësitë e universitetit për përmbushjen e objektivave të parapara, si dhe për zbatimin e akteve dhe legjislacionit në fuqi.
• Marrëdhëniet e Rektoratit me organet e tjera të Universitetit përcaktohen në këtë Statut, në Rregulloren e Studimeve Universitare dhe në rregulloret e tjera të Universitetit Bujqësor të Tiranës.
Rektor i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Prof. Dr. Fatbardh SALLAKU.
Rektori:
Rektori zgjidhet nga anëtarët e asambleve të personelit akademik të fakulteteve dhe studentët e UBT-së. Ai ka titullin “Profesor’’ dhe dekretohet nga Presidenti i Republikës. Mandati i rektorit zgjat katër vjet dhe shërben në detyrë për një mandat, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.
• Është autoriteti më i lartë akademik i UBT-së, si dhe përfaqësuesi ligjor i tij për çështjet akademike dhe protokollare.
• Drejton Senatin Akademik dhe raporton para tij.
• I paraqet Senatit planin strategjik të zhvillimit të UBT-së.
• Është anëtar i konferencës së rektorëve të universiteteve shqiptare.
• Ka të drejtën të informohet nga autoritetet drejtuese të të gjitha njësive mbi vendimet dhe masat e marra prej tyre.
• Shfuqizon kryesisht apo me kërkesë të të interesuarit, aktet e dekanit kur ato bien ndesh me kushtetutën, Ligjin Nr. 80/2015 për Arsimin e Lartë & Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë, Statutin, rregulloren dhe legjislacionin tjetër në fuqi.
• Lëshon/konfirmon përkundrejt firmës, diplomat e përfundimit të studimeve universitare dhe pasuniversitare, pa patur të drejtën e delegimit të firmës personave të tjerë.
• Nënshkruan kontratat e punës të personelit akademik dhe ndihmës akademik.
• Jep leje për hyrjen e forcave të rendit në mjediset universitare dhe mund t’i thërrasë ato në rast nevoje.
• Ka të drejtën e delegimit të firmës personave të tjerë vartës të tij. Në rast mungese i delegon kompetencat ose një pjesë të tyre, zëvendësrektorëve.
• Ngre komisione e grupe për çështje, studime e veprimtari të veçanta.
• Emëron dekanët e fakulteteve, zëvendësrektorët si dhe përgjegjësit e degëve dhe zyrave.
• Zgjidh në mënyrë përfundimtare mosmarrëveshjet mes dekanit dhe përgjegjësit të departamentit apo dhe mes dy dekanëve.
• Miraton masën disiplinore të përjashtimit të studentëve nga universiteti për rastet e parashikuara në rregulloret e fakulteteve dhe Kodin e Etikës.
• I kërkon informacion Bordit të Administrimit për çështje të kompetencës së këtij organi.
• Jep dhe miraton masat disiplinore për punonjësit deri në largimin e tyre nga puna kur shkelen nenet e Statutit, të Kodit të Punës dhe Kodit të Etikës.
• Miraton promocionet, dekorimet apo shpërblimet e punonjësve të Universitetit në përputhje me Legjislacionin e Republikës së Shqipërisë.
• Lidh dhe zhvillon marrëdhënie bashkëpunimi në fushën akademike me persona dhe institucione brenda dhe jashtë vendit.
• Koordinon veprimtaritë mes UBT-së, fakulteteve dhe departamenteve.
• Në referencë të Ligjit Nr. 80/2015 për Arsimin e Lartë & Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën Shqipërisë, kur me veprimet ose mosveprimet e tij, dekani shkel në mënyrë të përsëritur aktet ligjore, nënligjore, Statutin, apo rregulloret e fakultetit dhe universitetit, në rastet e kryerjes së veprave penale flagrante ose të shkeljeve të rënda të ligjit, të pamundësisë për të kryer detyrën dhe për rastet e parashikuara në Kodin e Etikës së UBT-së rektori i propozon ministrit të MAS shkarkimin e tij.
• Në një situatë të tillë rektori cakton njërin prej zëvendësdekanëve në detyrën e dekanit, deri në zgjedhjen e autoritetit të ri brenda dy muajve nga data e shkarkimit. Brenda gjashtë muajve nga data e shkarkimit shpall zgjedhje të parakohshme.
• Pas përfundimit të mandatit, ai vazhdon të jetë anëtar i personelit të departamentit ku kryen veprimtarinë e tij akademike.