AKFAL njofton studentët si të bëhen përfitues të kredisë studentore

Për të folur më gjerësisht përfaqësues nga Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë, përkatësisht Linda Caku- Specialiste pranë Drejtorisë së Granteve, Brixhilda Farwati-Specialiste në Drejtorinë e Analizës dhe Monitorimit dhe Xhevair Hoxha-Specialist në Drejtorinë e Analizës dhe Monitorimit zhvilluan sot një sesion informues me studentët e Universitetit Bujqësor të Tiranës.

Falë nismës së Qeverisë Shqiptare për t’i ardhur gjithnjë e më tepër në ndihmë studentëve, në vijimësi të VKM 440/2023 mbi skemën e kreditimit studentor u jepet mundësia studentëve për të financuar koston e jetesës dhe tarifën e studimit gjatë ndjekjes së një programi studimi në një IAL publike në vend.

Studentët janë të ftuar të aplikojnë për kredi studentore në website-in zyrtar të AKFAL duke plotësuar formularin e aplikimit dhe më pas të dorëzojnë dokumentacionin dorazi, sipas aneksit 1 dhe 2, nga data 15.02.2024 në adresë të Agjencisë Kombëtare të Financimit të Arsimit të Lartë.

Gjatë takimit, studentët u informuan mbi atë se çfarë është kredia studentore, kush përfiton, çfarë mbulon ajo, kriteret për të përfituar, kushtet që duhet të përmbajë kontrata e kredisë bankë-student, dokumentacionet e nevojshme, vlerësimin e renditjen e aplikantëve dhe afatet e dorëzimit.

Qëllimi i kredisë studentore është t’u vijë në ndihmë studentëve për të mbuluar shpenzimet dhe kostot e studimeve të larta, e cila jepet pa kolateral dhe me interesin më të ulët se sa kredia konsumatore.



Administratori i UBT, Z. Edmond Tërthorja teksa falenderoi ekipin përfaqësues të AKFAL dhe vlerësoi thirrjen si një mundësi të mirë për studentët, ftoi këta të fundit që të shfrytëzojnë mundësitë që janë në ndihmë të tyre dhe të angazhohen gjithnjë e më tepër në iniciativa dhe aktivitete të shumta që Qeveria dhe UBT ndërmerr në kuadër të zgjerimit dhe përmirësimit të jetës së tyre akademike.

UBT në panairin “Ditët e Informimit të Maturantëve”