Hapet thirrja për shprehje interesi nga fermerët për Skemën Kombëtare të Trajnimit në Bujqësi për vitin 2023-2024.
Skema kombëtare e trajnimit në bujqësi për vitin 2023 ka si qëllim ndërtimin e fermave model në të gjithë Shqipërinë, nëpërmjet përhapjes akoma dhe më të gjerë të teknikave më të mira të kulturave bujqësore e kafshëve blegtorale në serra, ara, pemëtore, stalla, e të tjera, nga specialistët më të mirë të bujqësisë dhe pedagogët e Universitetit Bujqësor të Tiranës, të cilët do të ndjekin në mënyrë të drejtpërdrejtë procesin bujqësor dhe do të përdorin teknikat më të mira bujqësore për mbi 30 ferma në të gjithë Shqipërinë.

Fermerët e përzgjedhur do të mund të shohin aplikimin në fermat e tyre të teknikave më të qëndrueshme të prodhimit dhe do të shërbejnë si ferma demonstruese për të gjithë fermerët e zonës. Do të përzgjidhen midis fermerëve që do të aplikojnë ferma të prodhimeve të perimeve në serra, prodhimit të frutave, bimëve mjekësore dhe aromatike, blegtorisë, peshkimit dhe bletarisë.

Secila prej fermave të përzgjedhura do të shërbejë si një rast praktik, i cili në fund të vitit, do të mund të demonstrojë përmirësimin e treguesve teknikë apo ekonomikë të fermës nëpërmjet rritjes së nivelit të prodhimit për hektarë apo për kafshë blegtorale, uljes së nivelit të kostove dhe të inputeve me anë të praktikave më të mira të kujdesit ndaj shëndetit dhe ushqimit të bimëve dhe kafshëve, si dhe praktika më të mira të vjeljes dhe të ruajtjes së produktit. Këto përmirësime do të mundësojnë të ardhura më të larta për fermerët e përzgjedhur.

Praktikat më të mira do të jenë në dispozicion të të gjithë fermerëve dhe ekstensionistëve të zonës nëpërmjet ditëve të hapura të demonstrimit dhe trajnimeve që do të realizohen përgjatë të gjithë vitit 2023.

Formulari i Aplikimit 
Udhëzues-Skema Kombëtare e Trajnimit në Bujqësi 
Thirrje për shprehje interesi 

Dokumentar mbi aktivitetin e kërkimit shkencor në IAL gjatë vitit 2022 dhe sfidat për të ardhmen