Universiteti Bujqësor i Tiranës pjesë e dialogut mbi Politikat dhe Udhërrëfyesin për Rezistencën Antimikrobike (AMR) në Shqipëri

Universiteti Bujqësor i Tiranës është bërë pjesë e diskutimit në aktivitetin e organizuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe disa institucione të tjera me fokus diskutimin mbi AMR, me qëllim inkurajimin e praktikave më të mira të parandalimit dhe kuptimit të AMR, sipas detyrave dhe përgjegjësive të rekomanduara në udhërrëfyesin mbi rezistencën antimikrobike, miratuar në 26 tetor 2023, në Astana Kazakistan.  

Takimi konsistoi në një dialog të përbashkët nën  drejtimin e Zëvendës Ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Dr. Entela Ramosaçaj dhe përfaqësuesve të insitucioneve përgjegjëse për AMR, anëtarë të Mekanizmit të Koordinimit Ndërinstitucional (të nominuar nga institucionet përkatëse) dhe pjesëmarrje të specialistëve nga institucione si MSHMS, MBZHR. QSUT, ISHP, AKU, MMT, MAS, UBT të përfaqësuar nga Dr. Eugena Tomini, Dr. Blerta Brati, Dr. Lindita Molla, Prof. Dr. Najada Como, Dr. Ergys Ramosaçaj, Znj. Elsa Bozhaj, Znj. Elda Cuka dhe Znj. Jona Boci.

Prof. Dr. Erinda Lika, Zëvendës Rektorja për Kërkimin Shkencor dhe Projektet në UBT njëkohësisht edhe Koordinatore e Laboratorit të Detektimit të Hershëm të Sars Covid-19 dhe Antimikrobiko Rezistencën në UBT prezantoi rezultatet e fundit të këtij laboratori në detektimin e disa prej geneve të rezistencës të detektuara në ujërat e zeza në disa zona të vendit, kryesisht në rrethin e Tiranës dhe Elbasanit.

Në këtë takim u diskutua ndër të tjera mbi rolin e institucioneve dhe faktorët mjedisorë si pjesë e rëndësishme e hartëzimit të ri mbi AMR sipas WHO, situatat reale mbi ndryshimet e ndodhura në implementimin e Planit Kombëtar të AMR dhe parandalimi e kontrolli i infeksioneve, menaxhimin e antibiotikëve në spitale, ndryshimet dhe ecuria në implementimin e politikave të luftës kundër AMR në politikat e zhvillimit të bujqësisë dhe ushqimit, prioritetet dhe arritjet në luftën kundër AMR, vlerësimi i ecurisë së AMR në sigurinë ushqimore dhe shëndetin e kafshëve etj. 

Pjesëmarrja dhe prezantimi i të dhënave konkrete edhe në këtë fushë kaq të rëndësishme mbi konceptin One Health, dëshmon mbi ekspertizën, kapacitetet humane dhe infrastrukturën shkencore si dhe mundësitë dhe rolin konkret që UBT luan në fushën e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjes së mjedisit në Shqipëri.

UBT më pranë BOKU Vjenë