Miratimi i fondit për fermën didaktike eksperimentale të Universitetit Bujqësor të Tiranës në kuadër të paktit për Universitetin

Në kuadër të Paktit të Universitetit, me vendim të Këshillit të Ministrave, u miratua vendimi për t’i kaluar Universitetit Bujqësor të Tiranës, fondin prej një milonë euro për Fermën Didaktike Eksperimentale (FDE) të tij. Me këtë rast Kryeministri i Republikës së Shqipërisë Z. Edi Rama dhe Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Z. Blendi Çuçi vizituan Universitetin Bujqësor të Tiranës.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Prof. Dr. Bari Musabelliu, falenderoi të pranishmit në sallë dhe vuri në dukje se UBT synon të shndërrohet brenda një kohe të shkurtër në një qendër kombëtare ekselence në mësim, kërkim dhe transferim të njohurive.

Prof. Dr. Musabelliu theksoi se nëpërmjet Fermës Didaktike Eksperimentale, UBT zotëron resurse të rëndësishme për zhvillimin e aktiviteteve bujqësore dhe blegtorale dhe shërben si bazë e trinomit: mësim, kërkim dhe transferim i njohurive. Shfrytëzimi i këtij potenciali përbën një sfidë për UBT-në. Miratimi i fondit për Fermën Didaktike Eksperimentale, përbën një shtysë thelbësore dhe shumë të rëndësishme për ta shndërruar FDE në njësinë kryesore për mirëaftësimin profesional të studentëve, organizimin dhe zhvillimin e eksperimentimit shkencor, mbështetjen e prodhimit fermer në vend etj. Vënia tërësisht në efiçiencë e FDE-së, me mbështetjen e qeverisë dhe fondit miratuar prej saj, do mundësoje që ajo të kthehet edhe në një qënder turistike dhe rekreacioni.

Prof. Dr. Musabelliu siguroi se përfitimet e këtij investimi do të jenë të qenësishme dhe FDE do të jetë një qëndër e mirëfilltë e eksperimentimit dhe e trajnimit shkencor. Studentët do të jenë përfituesit e drejtëpërdrejte në varësi të programeve të tyre të studimit.

Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama, në fjalimin e tij, u ndal tek fakti  se ky përbën një moment të rëndësishëm për UBT, si plotësim i një nevoje shumë të vjetër të këtij universiteti për ndërtimin e Fermës Didaktike Eksperimentale. Kjo ndërrmarrje e re, në kuadër të partneritetit qeveri-universitete, ka një interes shumëplanësh dhe do të mundësojë një ndërlidhje optimale  mes punës shkencore dhe tregut. Ai theksoi se UBT zotëron një potencial të jashtëzakonshëm dhe është e nevojshme që ky potencial të vihet në funksion jo vetëm të mësimit më cilësor të studentëve, por edhe në funksion të ekonomisë rurale dhe zhvillimit të bujqësisë.

Kryeministri Rama theksoi se universiteti ka kaluar periudha të vështira, por ështe koha që ai të shndërrohet në një qëndër autoritare të planifikimit, hartimit dhe zbatimit të politikave bujqësore dhe zhvillimit rural në vend. Ai vuri në dukje se lëvizja studentore ishte një shtysë për procesin e ndërhyrjeve në funksion të transformimit të infrastrukturës së universiteteve. Sot partneriteti midis ministrive dhe universiteteve, sipas sektorëve të interesit reciprok, ka nisur punën për hartimin e projekteve që do të përfshihen në planin e financimit që qeveria është zotuar të realizojë për të gjitha zonat universitare të vendit.

  1. Rama solli në vëmëndje se 373 studentë ekselëntë, fitues të platformës Punë të Mbarë, u bënë pjesë e administratës publike dhe 31 prej tyre u punësuan pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural apo në institucionet vartëse. Kjo platformë përbën një angazhim afatgjatë të Paktit për Universitetin. Një tjetër angazhim i rëndësishëm i qeverisë është rindërtimi dhe krijimi i standarteve të duhura për shtëpitë e studentëve.

Fondi për Fermën Didaktike Eksperimentale i hap rrugë një procesi afatgjatë, i cili mbështet krijimin e infrastrukturës didaktike trajnuese e demostruese dhe zhvillimin e praktikave reale të mësimit, lidhur me ekonominë dhe tregun. Kjo fermë do të jetë njëkohësisht një burim të ardhurash për universitetin. Duke qënë se UBT e ka të konkretizuar mirë spektrin e aktivitetit të tij, nëpërmjet një FDE efektive, do mund të krijojë një model edhe për universitetet e tjera.
Z. Rama  theksoi se investimi tek dija është e vetmja rrugë për ta çuar në një stad tjetër ekonominë tonë dhe bujqësinë shqiptare.

Pas fjalimit të kryeministrit, takimi vazhdoi me diskutime midis të pranishmve dhe Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Z. Bledi Çuçi.

   

Pamje nga procesi i korrjes së grurit në fermën Didaktike Eksperimentale të Universitetit Bujqesor te Tiranës