Departamenti i Industrisë së Drurit
Departamenti i Industrisë së Drurit
Për herë të parë Dega e Përpunimit të Drurit në vend u hap në vitin 1969, i cili shënohet si vit ndryshimesh për Fakultetin e Pyjeve. Në këtë vit u bë ristrukturimi i planeve mësimore ekzistuese, duke synuar diplomomin e specialistëve të lartë të pyjeve në tre profile të veçanta : Silvikulturë-Shfrytezim Pyjesh-Përpunim Druri. Specialistët e dalë nga dega e përpunimit të drurit filluan të plotësonin nevojat e mëdha që kishte vendi sidomos me hapjen e Kombinateve dhe fabrikave të prodhimit të mobiljeve dhe objeketeve të tjera me bazë druri. Në vitin akademik 1977-1978 dega u mbyll për t’u rihapur përsëri në vitin akademik 1989-1990 me një progam studimi ambicioz pesë vjeçar ku i’u dha rëndësi moduleve të formimit të përgjithshëm inxhinierik dhe moduleve të specialitetit me theks në implementimin didaktik dhe eksperimental të teknologjive të reja bashkëkohore.
Në vitin akademik 1999-2000 programi i studimit të ofruar nga ky Departament iu përshtat ristrukturimit në përputhje me sistemin 3+2, niveli i parë i studimeve Bachelor 3-vjeçar dhe niveli i dytë i studimeve Master Shkencor 2- vjeçar dhe niveli i tretë i studimeve 3- vjeçar “Doktor i Shkencave”. Në vitin akademik 2017- 2018, Departamenti ynë, me qëllim që ti përshtatet sa me mire zhvillimit aktual të industrisë së drurit në vend dhe kërkesave të tregut të punësimit, ofron një program të ri studimi të nivelit të parë Bachelor “Dizajni i Mobiljeve dhe Interierit”, programin e studimit të nivelit të dytë Master i Shkencave 2-vjeçar “Dizajni dhe Teknologjia e Mobilimit“, programin e studimit të nivelit të dytë Master profesional 1-vjeçar “Konstruksione Druri”.
Fushat e Kërkimit Shkencor
- Proçeset e modifikimit termiko kimik të drurit
- Vetitë fizike mekanike teknologjike të drurit të trajtuar termikisht
- Proçeset dhe ndikimi i vjetërimit të drurit dhe të llustrës në vetitë e tij
- Ruajtja dhe restaurimi i objekteve me bazë druri
- Materialet inxhinierike me bazë druri
MISIONI
Departamenti i Industrisë së Drurit nëpërmjet dy programeve të studimit bachelor: Inxhinieri Përpunim druri dhe Dizajni I mobiljeve dhe interierit si dhe dy programeve të ciklit të dytë Master Profesional “Konstruksione druri” dhe Master Shkencor “Dizajni dhe teknologjia e mobilimit”, realizon edukimin profesional dhe shkencor të studentëve në nivelin më të lartë cilësor për të përballuar me sukses nevojat e tregut të punës në fushën e përpunimit teknologjik të lëndës drusore, prodhimit dhe dizenjimit të mobiljeve dhe interierit dhe konstruksioneve prej druri.
VIZIONI
Departamenti i Industrisë së Drurit, si njësi unike për të gjithë vendin siguron zhvillimin e vazhdueshëm didaktiko shkencor në mbeshtetje të politikave të zhvillimit me të cilat përballet industria e përpunimit të drurit në vend. Këtij qëllimi i ka shërbyer rritja e vazhdueshme e kapaciteteve shkencore infrastrukturore dhe humane si dhe bashkëpunimi i përhershëm me Klasterin e Industrisë së Drurit në vend dhe me gjithë subjektet prodhuese që operojnë në fushën e Industrisë së Drurit

Prof. Dr. Entela LATO,
Përgjegjëse Departamenti
E-mail: elato@ubt.edu.al
Departamenti i Industrisë së Drurit