Departamenti i Gjuhëve të Huaja
Departamenti i Gjuhëve të Huaja
Departamenti i Gjuhëve të Huaja, si pjesë përbërëse e Fakultetit të Ekonomisë dhe Agrobiznesit prej muajit shtator 2016, ofron rol mbështetës për të gjitha departamentet e fakulteteve të ndryshme të Universitetit Bujqësor të Tiranës. Ky departament ofron kursin e detyrueshëm të gjuhës angleze. Kursi i gjuhës angleze, i ofruar në vitin e parë të Ciklit Bachelor në rang universiteti me një total prej 60 – 75 orë fizike në një vit akademik, është i orientuar drejt mësimit të Gjuhës Angleze për Qëllime Specifike (ESP).
Objektivat e lëndës të gjuhës angleze që ofrohet në kurrikulat e Ciklit të parë Bachelor janë:
- Përvetësimi i anglishtes teknike e shkencore të fushave përkatëse sipas profileve dhe programeve të shumta në UBT.
- Zhvillimi i aftësive gjuhësore të nevojshme për komunikim tekniko-shkencor në situata studimi, apo situata pune ku gjuha angleze përdoret si mjeti komunikimi;
- Përgatitja e studentëve me njohuri të përgjithshme dhe specifike në fushat kryesore të dijes e shkencës me synim shfletimin dhe përvetësimin e literaturës bashkëkohore shkencore-teknike;
- Njohja e terminologjisë shkencore në gjuhën angleze në fushat e ndryshme të shkencës dhe dijes dhe njësimi i saj me terminologjinë standarde të gjuhës shqipe.
Veç gjuhës angleze, stafi i DGjH ofron kursin e terminologjisë mjekësore në gjuhën latine për studentët e vitit të parë të Mjekësisë Veterinare, si dhe gjuhën frënge në ciklin e dytë “Master Shkencor” në Fakultetin e Shkencave Pyjore. Duke marrë shkas nga mungesa e teksteve të specializuara të gjuhës angleze me fokus ESP, stafi i këtij departamenti ka mundësuar hartimin e teksteve të specializuara sipas profileve të fakulteteve. Më konkretisht janë hartuar tekstet:
1- Anglishtja e Bujqësisë & Mjedisit;
2- Anglishtja e Pylltarisë;
3- Anglishtja e Mjekësisë Veterinare;
4- Anglishtja e Teknologjisë Ushqimore;
5- Anglishtja Ekonomisë, Biznesit & Kontabilitetit;
Pranë Departamentit të Gjuhëve të Huaja në ambientet e Fakultetit të Ekonomisë dhe Agrobiznesit është hapur “German Corner”, e cila do të vihet në shërbim të studentëve të kampusit universitar UBT, të cilët dëshirojnë të mësojnë gjuhën gjermane. Ky kënd u mundësua me mbështetjen e Goethe-Zentrum Tirana, pjesë e rrjetit ndërkombëtar të Instituteve Gëte dhe ka mision nxitjen dhe zhvillimin e bashkëpunimit gjuhësor dhe kulturor ndërmjet Gjermanisë dhe Shqipërisë.
Duke filluar nga viti akademik 2021-2022 gjuha gjermane do të jetë pjesë e kurrikulës së studimit për studentët e Masterit shkencor, që konsiderohet një element i nevojshëm edhe në drejtim të vazhdimësisë së studimeve në nivelin e tretë të programeve të doktoratës apo edhe të studimeve post-doktoratë ndërsa gjithashtu. Në këtë qendër përveç kurseve të gjuhës gjermane do të zhvillohen edhe aktivitete e veprimtari të ndryshme.
Kjo qendër nuk do të ketë si qëllim vetëm zhvillimin e kursit të gjuhës gjermane, por do të shërbejë si një qendër ku do të organizohen një sërë veprimtarish nga institucione të ndryshme, si një qendër ku studentët mund të informohen e të marrin të dhëna për bursa studimi jashtë vendit.
MISIONI
“FEA të mundësojë realizimin e edukimit shkencor dhe profesional të studentëve në fushat – vizion i FEA-s, në nivelin që u mundëson atyre të përballojnë me sukses probleme që lidhen me strategji të menaxhimit të inputeve dhe outputeve në bujqësi, menaxhimin e agrobiznesit, strategji të integrimit të fermerëve në tregje, politika dhe strategji të zhvillimit rural të integruar, politikat agrare etj, nëpërmjet promovimit dhe pjesëmarrjes të studentëve, stafit akademik dhe njësive të FEA në programe të avancuara të arsimimit, kërkimit dhe trajnimit në fushën e ekonomisë dhe agrobiznesit”.
VIZIONI
“FEA të jetë një qendër bashkëkohore studimi, kërkimi dhe transferimi i njohurive, për t’u bërë pjesë integrale e një bote, ku studentët e diplomuar në Fakultetin e Ekonomisë dhe Agrobiznesit të gjejnë veten e tyre dhe të kontribuojnë me dije e profesionalizëm në fushat e ekonomisë bujqësore, zhvillimit rural të integruar, menaxhimit të ndërmarrjeve, financës, kontabilitetit, marketingut, agroturizmit, ekonomisë dhe politikave agrare etj, në dobi të integrimit evropian”.

Prof. Asoc. Arjan SHUMELI, Përgjegjës Departamenti
E-mail: ashumeli@ubt.edu.al
Departamenti i Gjuheve te Huaja
Stafi Ndihmës