
Departamenti Menaxhim Turizëm Rural
Departamenti “Menaxhim Turizmi Rural”
Departamenti “Menaxhim Turizmi Rural” (DMTR) krjuar në vitin 2012 si një risi dhe nevojë e kohës për tju përgjigjur tregut të punës dhe ofruar studentëve përgatitje cilësore, është pjesë e Fakultetit të Ekonomisë dhe Agrobiznesit pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës.
Ai ofron tre programe studimi:
- Studime të nivelit të parë-Bachelor “Menaxhim Turizmi Rural” (MTR)
- Master Profesional “Menaxhim Turizmi Rural”
- Shkollë e Lartë Profesionale 2-vjeçare “Agroturizëm dhe Mikpritje”
Objektivi Departamentit të Menaxhimit të Turizmit Rural është të përgatisë specialistë të aftë të fushës së Ekonomisë dhe Agrobiznesit të profilit të Menaxhimit të Turizmit Rural. Kjo është e mundësuar përmes kurrikulës së studimeve, e cila ofron për studentët njohje të thellë të teorisë ekonomike dhe të menaxhimit, teorisë dhe praktikës turistike, njohje dhe përdorim shumë të mirë të metodave sasiore të studimit, si dhe një formim të thellë profesional.
Të dy programet, si ai bachelor ashtu edhe master kanë ardhur duke u forcuar, me një numër stabël studentësh.
Kurrikula e studenteve të të dy programeve të të dy niveleve është pershtatur dhe ka marrë formën e plotë të një specialisti të Ekonomisë dhe Agrobiznesit me profil në Menaxhimin e Turizmit Rural. Programet e moduleve për të dyja nivelet tashme janë të konsoliduara. Ndërsa kurikula e Programit të Shkollës së Lartë Profesionale “Agroturizëm dhe Mikpritje” synon të plotësojë një boshllëk të madh të prakticienëve, punonjës të njësive dhe fermave agroturistike. Përgatitja e specialistëve të Menaxhimit të Turizmit Rural është parë si një instrument i zhvillimit ekonomik territorial dhe social i zonave rurale.
Disa nga avantazhet e të studjuarit në programet që ofron Departamenti Menaxhim Turizmi Rural janë:
- Të qenit një program unik, krahasuar me gjithë universitetet Shqiptare publike dhe private;
- Të qenit i kërkuar nga sektori i turizmit rural
- Hapësira të reja të krijuara nga zhvillimi i sektorit agroturistik
- Mbështetja e agroturizmit nga programet qeveritare;
- Staf i kualifikuar brenda dhe jashtë vendit i përbërë nga 5 Profesorë, 4 Doktor Shkencash dhe 1 Master Shkencor.
- Programe të hartuara me profesionalizëm shkencor në funksion të tregut të punës
- Referimi në eksperiencat më të mira të kurrikulave analoge në nivel ndërkombëtar
- Marrëveshja e diplomës së dyfishtë me Universitetin Italian Delle Marche
Departamenti i MTR përbëhet nga dy Grupe Mësimorë Kërkimore (GMK):
- GMK Menaxhim Turizmi Rural
- GMK Sociologji dhe e Drejtë
Programi “Menaxhim Turizmi Rural” e ciklit të parë Bachelor
Programi i MTR -bachelor nisi të zbatohet për herë të parë në vitin akademik 2011-2012, në zbatim të urdhrit të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës së Shqipërisë, Nr. 272 të datës 10/06/2011, bazuar në nenin 102 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
Ky program është i akredituar me vlerësim maksimal për cilësinë e të gjithë elementëve të vlerësimit nga ASCAL (certifikatë akreditimi 6 vjeçare).
Nga vlerësimet e bëra nga departamenti në analizat mësimore-kërkimore dhe nga opinionet e studentëve të programit, ky program ka rezultuar i suksesshëm dhe është vlerësuar: si në tregun e punës ashtu edhe në atë të studimeve të niveleve më të larta siç është ai i studimeve të nivelit të dytë të masterit. Studentë të këtij departamenti kanë rezultuar të suksesshëm edhe në universitetet e huaja ku ata kanë shkuar në kuadrin e shkëmbimeve bilaterale si në rastin e shkëmbimit të studentëve në kuadrin e marrëveshjes për diplomë të dyfishtë me Università Politecnica delle Marche, Itali ashtu edhe të shkëmbimeve Erasmus+
Programi “Menaxhim Turizmi Rural” është një program unik në llojin e tij në Shqipëri, në nivel kombëtar. Në kushtet kur Shqipëria po kërkon të zhvillojë territorin dhe agroturizmin, studentët e MTR pritet të jenë një burim i rëndësishëm ekspertësh.
Programi ciklit të dytë Master Profesional “Menaxhim Turizmi Rural”
Programi i Masterit Profesional “Menaxhim Turizmi Rural” është vazhdim i ciklit të parë të studimeve Bachelor dhe synon përgatitjen e specialistëve të rinj të aftë në menaxhimin e biznesit të turizmit rural. Ky program është hapur për herë të parë në vitin akademik 2017-2018, dhe këtë vit u diplomua me sukses gjenerata e tretë e studentëve të nivelit master. Ky program studimi ofron mundësi të mira karriere në pozicione si menaxher dhe administrator të bizneseve të turizmit rural në përgjithësi dhe atij agroturistik në veçanti, konsulent biznesit turistik, nënpunës i administratës si qendrore dhe lokale të turizmit, specialist në bizneset që ndryshe njihen si ndërmjetësit në tregun turistik si psh. Tour Operatorët apo edhe Agjencitë e udhetimeve
Shkolla e Lartë Profesionale “Agroturizëm dhe Mikpritje”
Ky program studimi është projektuar duke menduar të rinjtë që kanë përfunduar me sukses arsimin e mesëm dhe dëshirojnë të përfitojnë një profesion në fushën e turizmit . Ai është hapur për herë të parë në vitin akademik 2021-2022 me urdhër Nr 245 të datës 19.07.2021 të Ministrisë së Arsimit Sportit dhe Rinisë .
Shkolla e lartë profesionale “Agroturizëm dhe Mikpritje” është shkollë dy-vjeçare profesionale , ( 4 semestra), me 120 kredite ECTS dhe që i referohet nivelit 5 të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve.
Në proçesin e punës për realizimin praktik të këtij projekt propozimi, janë zbatuar dhe të gjitha proçedurat e nevojshme si: diskutime për përcaktimin e kurrikulës, përgatitjen e studimit të tregut, përgatitjen e programeve të moduleve, identifikimin e stafit akademik që do të kontribuojë në këtë kurs profesional, identifikimin e shtyllave kryesore, ku do të mbështet formimi i studenteve, etj. Programi i studimit “Agroturizëm dhe Mikpritje” synon të ofrojë elementet dhe mjetet e nevojshme për zhvillimin e aftësive në fushën e Agroturizmit dhe shërbimeve shoqëruese të tij:
- Turizmi rural si turizëm alternativ
- Menaxhimi i sipërmarrjeve agroturistike
- Territori dhe produktet e tij lokale
- Komunikimi ndërkulturor në turizëm
- Përdorimi i platformave të shitjes dhe prenotimit online
- Mikpritja dhe Shërbimi agroturistik
- Guidat turistike dhe shtigjet
- Menaxhimi i cilësisë së produkteve ushqimore nga fusha në tavolinë
Punësimi potencial i studentëve
Shkolla profesionale 2-vjeçare do të pajis të diplomuarit me njohuri dhe aftësi që ju krijojnë mundësi punësimi në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe indirektë në një sërë sipërmarrjesh, institucionësh dhe OJF. Në mënyrë direkte, ky set aftësish dhe njohurish krijojnë mundësi punësimi në sipërmarrjet, si vijon:
- Agroturizëm
- Bujtina
- Restorante
- Streha malore dhe struktura të tjera për qëndrime afat-shkurtër
- Hoteleri
- Resorte
- Komplekse turistike
Në mënyrë indirekte, të diplomuarit do të kenë mundësi punësimi, si vijon:
- Agjenci turistike
- Shoqatat që lidhen me Zhvillimin e turizmit
- Bankat financiare
- Sipërmarrjet përpunuese në Agrobiznes

MISIONI
Departamenti Menaxhim I Turizmit Rural ka si mission edukimin dhe formimin shkencor, professional dhe social të studentëve të tij që të bëhen:- drejtues, ekspertë dhe konsulentë të aftë të fermave agroturistike dhe sipërmarrjeve turistike,
VIZIONI
Vizioni e Departamentit Menaxhim I Turizmit Rural është që, si pjesë integrale e Fakultetit të Ekeonomisë dhe Agrobiznesit, të bëhet qendër e rëndësishme dhe konkuruese në vend dhe rajon në fushën e mësimdhënies, kërkimit dhe transferimit të njohurive në funksion të turizmit rural dhe konservimit të kulturës lokale rurale të trashëguar.

Prof. Asoc. Dr. Xhevaire DULJA, Përgjegjëse Departamenti
E-mail: xhdulja@ubt.edu.al
Departamenti Menaxhim Turizem Rural